Bayern ka mundur që të fitojë dhe të dominojë ndeshjen e javës së 11 në Euroligën e basketbollit përballë Barcelonës 100-73 , ndeshje e cila erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport. Në fillim gjithçka ishte e ekulibruar dhe loja e mirë e Parker dhe Punter tek Barcelona nuk jepte asnjë shenjë se më pas situata do të rridhte ndryshe.
Bayern nisi menjëherë me një ritëm shumë të shpejtë duke mos i lënë Barcelonës mundësi për të reaguar. Ajo që bie më tepër në sy në pjesën e parë është se Bayern tentoi në gjuajtje për tri pikë trefishin e gjuajtjeve për 2 pikë. Kjo taktikë i jep të drejtë dhe shënojnë 10 trepikësha me 43 % saktësi.
Diferenca me 2 shifra arrihet që në pjesën e parë deri +12 pikë por jo e sigurtë. Në pjesën e dytë Bayern nis të shënojë radhazi me Andreas Obst, ndërsa në krahun tjetër për katalanasit luan mirë Parker.
Nga mesi i periodës së tretë e më tej gjithçka kthehet në një shfaqje me një protagonist, pikërisht Andreas Obst, i cili nis të shënojë trepikësha në çdo gjuajtje. Diferenca arrin deri në 20 pikë por tashmë gjithçka kalon në plan dytësor pasi publiku kërkon rekordin e gjermanit i cili me 5 trepikëshat në periodën e tretë arrin gjithsej 10 trepikësha në fund të 30 minutave lojë.
Ne periodën e katërt, me diferencën e cila prek deri në 25 pikë në favor të bavarezëve, të gjithë prisnin trepikëshin e rekordit që për Obst do të vijë në minutën e fundit të ndeshjes duke e mbyllur me 11 trepikësha dhe 34 pikë të shënuara gjithësej .
Ky rekord me 11 trepikësha nuk ka ndodhur kurrë më parë pasi i fundit kishte qenë Markus Erikson me 10 trepikësha në 2021. Bayern e mbylli me 20 trepikësha të shënuar si skuadër diçka e rrallë për një ndeshje në Euroligë. Me këtë fitore Bayern ngjitet në vend të 3-të ndërsa Barcelona zbret në vend të 8-të.