Ndodh gjithçka në “Elbasan Arena” në sfidën mes Elbasanit dhe Tiranës, por nuk ka fitues në përfundim të 90 minutave. Mbyllet në barazim 1-1 një sfidë e luftuar dhe e mbushur me emocione.
Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola dhe momenti më kulmor i ndeshjes ndodh në minutën e 49-të. Tirana shënon gol me Gjumsin, por pas verifikimit në VAR, goli i bardhebluve nuk vlen. Ka pasur një faull në nisje të aksionit në zonën bardheblu dhe gjyqtari Ferataj akordon 11-metërsh për Elbasanin.
Hila tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe kalon vendasit në avantazh, duke prishur festën e bardhebluve. Reagon pak minuta më vonë Tirana, që arrin të shënojë golin e barazimit me Dembele.
Minutat në vazhdim janë të luftuara me të dyja skuadrat që kërkojnë golin e fitores, por pa arritur qëllimin. Mbyllet në barazim 1-1 sfida në “Elbasan Arena” me dy skuadrat që detyrohen të ndajnë nga një pikë.
Elbasani ngjitet në kuotën e 18 pikëve, ndërsa Tirana në kuotën e 15 pikëve.