Teksa ekipi bëhej gati për ndeshjen e madhe të javës së trembëdhjetë të Serisë A kundër Juves, këshilltari i lartë i “Djallit”, Zlatan Ibrahimoviç foli për mediat duke komentuar dy nga lojtarët më të mirë në ekipin e Fonsekës.I pari, nuk mund të mos ishte Rafael Leao, për të cilin suedezi tha: “Kam qenë gjithmonë krenar për Leaon: E kam takuar kur ishte ende fëmijë dhe tani ai është rritur, më i matur dhe i pjekur. Tani është një futbollist, përpara se të jetë një talent i mundshëm. Pastaj ka momente për të gjithë, kur gjërat shkojnë mirë dhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, tani ai po kalon një kohë të mire. Te Milani jemi pas tij, e ndihmojmë dhe e motivojmë që të bëjë gjithmonë mirë, ai është një nga më të mirët në botë. Për mendimin tim, Leao nuk e di sa i fortë është: kur ta kuptojë, gjithçka do të dale në pah. Ai e ka këtë presion sepse është nga më të fortët nga të gjithë, përndryshe nuk do të flisnim për potencialin e tij. Është një ekuilibër, nëse i thua çdo ditë dikujt që është më i forti, mund të ndodhë që ai të qetësohet duke mos dhënë më të mirën. Sidoqoftë, varet nga karakteri i lojtarit”.
Më pas edhe një koment për Moratan që pas kombëtares spanjolle jep edhe kontributin e tij për kuqezinjtë. “Alvaro mori një goditje në kokë dhe i mungoi ekipit në Kaljari. Më pas ai luajti pak në kombëtare dhe u stërvit me ekipin. Jemi shumë të kënaqur: e dinim se çfarë sillte dhe çfarë po jep. Një lojtar kolektiv, i cili nuk shënon 50 gola në vit, por që ndihmon shokët e skuadrës dhe është një lider”, përfundoi Ibrahimoviç.
PANORAMASPORT.AL