Neymar Junior është një nga emrat më të përfolur për dritaren e ardhshme të transferimeve.
Sulmuesi brazilian, pavarësisht dyshimeve që lidhen me gjendjen e tij fizike, po kërkon një skuadër të re, ku të rigjejë formën e tij më të mirë, e cila prej disa vitesh nuk ka qenë në nivelin e pritur.
Pas një sezoni në Arabinë Saudite, ku nuk ka shkëlqyer për shkak të dëmtimeve, Neymar dëshiron të rikthehet në një klub të madh, megjithëse disa dyer i janë mbyllur tashmë.
Në një intervistë për podcast-in “Roundcast”, babai i tij foli për situatën e lojtarit të Al-Hilal.
“Të shohim çfarë do të ndodhë”, tha ai, duke shpjeguar se gjendja fizike dhe psikologjike e Neymarit do të jenë të rëndësishme për vendimin që do të marrë në liri të plotë: “Nuk kemi qenë kurrë më të lirë për të vendosur se ku do të shkojmë. Të kesh një djalë 32-vjeçar të lirë në dorë është dhuratë për çdo menaxher”.
Babai i tij pranoi: “Tregu po pret të shohë si do të rikuperohet, por ai gjithmonë kthehet më i mirë se sa ishte më parë. Nuk do të jetë ndryshe as këtë herë. Neymar ka kontratë deri në vitin 2025. Nuk dimë ende asgjë për të ardhmen, shoh spekulime dhe kemi filluar të përgatitemi për to”.
Lidhur me Kampionatin Botëror të Klubeve, që përfshin ekipin aktual të Neymarit, babai i tij sqaroi: “Të gjitha klubet do të jenë pjesëmarrëse, edhe Al-Hilal do të marrë pjesë. Ata e fituan të drejtën për të qenë në Botërorin e Klubeve, tashmë kanë një nga yjet më të mëdhenj që mund të kenë për të garuar në këtë event. Një lojtar me përvojë në këtë lloj kompeticioni. Prandaj, ata nuk hoqën dorë nga viti i dytë i kontratës me Neymar”.