Lazio iu bashkua sërish skuadrës ndjekëse të Napolit në kreun e klasifikimit të kampionatit italian.
Bardhekaltrit fituan 3 me 0 kundër Bolonjës, në duelin e javës së 13 të serisë A, transmetuar në Tring.
Sukses i bukur për kryeqytetasit të cilët vazhdojnë momentin e tyre të artë, dhe e shohin veten në 28 pikë, po aq sa Inter, Atalanta dhe Fiorentina, duke ndjekur me vetëm një pikë distancë Napolin kryesues.
Pjesë e parë më e mirë për të zotët e shtëpisë të rrezikshëm me anë të Vesinos dhe Tati Kastelanos, ndërsa Bolonja u përgjigj me Orsolinin, por pa sukses.
Në minutën e 33 rasti më i pastër i takoi Genduzis, i cili dy minuta më vonë ishte protagonist pasi ndaj tij ishte faulli i Pobeges i cili meritoi kartonin e dytë të verdhë dhe la miqtë me 10 lojtarë.
Ky avantazh numerik i hapi rrugën Lacios që të ishte shumëfish më e rrezikshme, teksa pasi i shkoi shumë afër golit në fundin e pjesës së parë me Pelegrinit dhe më tej në të dytën me Kastelanos, ia doli të zhbllokojë shifrat më në fund në minutën e 68 me Zhigo falë një gjuajtje me kokë.
Katër minuta më vonë radha e kapiten Xakanjit për të dyfishuar pas një gjuajtje të bukur me të djathtën, ndërsa në fund Dele Bashiri mbylli në festë duelin për bardhekaltrit.
Pak më herët Napoli përmes një fitoreje minimaliste 1 me 0 kundër Romës në një nga ndeshjet më interesante të kësaj jave, ia doli të rikthehet ne majë të renditjes.
Dueli i Diego Armando Maradonës megjithë intensitetin e lojës nuk pati shumë raste të pastra për shënim.
Dy episode më të rëndësishëm u regjistruan në pjesën e dytë. Goli i Lukakut për vendasit në minutën e 54… dhe pastaj rasti më i mirë i miqve për të barazuar me Dovbik gjuajtja e të cilit shkoi në traversë.
Humbja e tretë radhazi për romen, për të cilën debutoi në stol me disfata Klaudio Ranieri./vizionplus.tv