KOK-u reagon pas sulmit të trajnerit kosovar në Mal të Zi
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ka reaguar të hënën lidhur me sulmin që arbitri nga Bosnjë-Hercegovina, Fegja Trbonja e realizoi ndaj trajnerit kosovar të kikboksit, Migjen Shala.
Sulmi ndodhi të premten e shkuar në Cetinje të Malit të Zi gjatë një turneu ndërkombëtar.
Gjyqtari Trbonja e goditi me trofe në fytyrë trajnerin kosovar.
KOK-u ka shkruar se e ka pritur me shqetësim dhe indinjatë të thellë incidentin.
“KOK-u dënon ashpër incidentin e ndodhur, e sidomos kur shkaktar i kësaj bëhet gjyqtari, roli i të cilit është ndarja e drejtësisë në ring, promovimi i respektit dhe ferplejit. KOK-u, pas kontakteve dhe koordinimit me Federatën e Kick-Boksit të Kosovës, ka kontaktuar menjëherë me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Malit të Zi, në vendin e të cilëve u zhvillua turneu, dhe me Komitetin Olimpik të Bosnjës e Hercegovinës, nga të cilët ka kërkuar marrjen e masave ndaj gjyqtarit”, shkruan ndër të tjera në reagimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.