Në turneun e Kick boksit që u mbajt vikendin e kaluar në Cetinje të Malit të Zi, ndodhi një incident aspak i hijshëm.
Në fakt, gjyqtari nga Bosnje e Hercegovina, Feđa Trbonja e goditi me trofe trajnerin e kickboxit të Fight Club Arbër, Migjen Basha.
Incidenti ka ndodhur pas meçit të garuesit nga Kosova, Nart Mehmeti dhe garuesit nga Podgoriva Luka Heber, luftë e cila përfundoi me fitoren e kickboksierit vendas.
Duke qenë i bindur se garuesit kosovar iu bë e padrejtë, trajneri Basha kërkoi sqarime nga gjyqtari, bisedë kjo e cila përfundoi me goditjen e këtij të fundit ndaj trajnerit kosovar.
Një ngjarje të tillë, kryetari i Federatës së Kick boksit të Kosovës, Fatmir Makolli po e konsideron si “shumë të rënë”
“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur në Cetinje (të Malit të Zi) ndaj trajnerit tonë…Shihet qartë aty se çfarë reagimi ka pasur referi, mendoj që ai ka qenë shumë i ngarkuar dhe është ndonjë nacionalist shumë i madh, por sipas disa të dhënave, ai është edhe serb dhe në atë mënyrë të reagojë unë për vete jam befasuar, nuk kam parë ngjarje të tillë aq të keqe duke e sulmuar trajnerin”, thotë fillimisht Makolli.
Madje i pari i Federatës së Kickboksit thotë se kjo mund të ketë ardhur edhe për shkak se gjyqtarit në fjalë, por edhe të pranishmëve të tjerë mund t’iu ketë penguar prezenca e shqiptarëve aty.
“Dihet që ne si shtet ndoshta e kemi penguar, e pengojnë shqiptarët kur marrin pjesë dhe e ka pritur ndoshta edhe momentin. Nuk e di a i keni dëgjuar sharjet dhe ofendimet që janë bërë ndaj shtetit tonë nga publiku dhe ne duhet të reagojmë shumë fuqishëm për t’i ndërprerë këto në të ardhmen”, thekson Makolli.
Makolli bënë të ditur se tashmë është takuar me Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqin dhe se së shpejti pritet të dalin me një reagim të përbashkët për ta dënuar këtë incident.
“Është mirë të ndërpriten këto ngjarje, incident ndodhi në Rumani, tani në Kick-boks, nesër do të ndodh edhe në federata të tjera dhe ndaj garuesve tjerë, besoj që ne këtë duhet na ndalojmë dhe të reagojmë sa më fuqishëm. Unë jam në kontakte edhe me Ministrinë e Sportit dhe me Komitetin Olimpik, madje pak më parë kisha takim me kryetarin (e KOK-ut) dhe në të ardhmen ne do të reagojmë së bashku me të gjitha institucionet e sportit”, shton më tutje Makolli.
Në fund i pari Federatës së Kick box-it ta se pret që Komisioni Disiplinor i Federatës Evropianë të Kick box-it të marrë vendim për pezullimin e gjyqtarit në fjalë për një periudhë shumë të gjatë kohore nga ndarja e drejtësisë në këtë sport.