Siç ishte e pritshme pas asaj që u pa në fushë, ndeshja e madhe mes Milanit dhe Juves përfundon mes fishkëllimave, por e vetmja gjë e madhe ishte mërzia që ofruan 90 minutat, ku kuqezinjtë përfunduan në portë vetëm me goditjen e fundit, madje as të rrezikshme. Një mundësi e humbur për skuadrën e Fonsekës, e cila absolutisht duhej të fitonte për t’u rikthyer në luftën e titullit, e cila tani rrezikon të komprometohet më tej. Mesfushori i kuqezinjve, Jusuf Fofana pas ndeshjes e ka shpjeguar situatën në mënyrën e tij.
A nuk mendoni se duhet të kishit rrezikuar pak më shumë, siç tha edhe Fonseka?
Nëse e tha trajneri, jam dakord. Për mua ishte një lojë shahu: nëse një lojtar mendonte vetëm për detyrat tij, mund të na vinte në vështirësi dhe ne duhej të prisnim. Ajo ndaj Juves nuk ishte ndeshje spektakolare, pavarësisht se donim të gjenim golin dhe ta fitonim.
Pse kaq shumë ulje-ngritje për Milanin?
Nuk ka një shpjegim të saktë. Ndeshjet janë ndryshe e çdo herë duhet të rregullojmë një problem të ri, në mbrojtje apo në sulm. Duhet të jemi më efikas kur kemi mundësi për të shënuar. Por nuk e di ku gabojmë dhe shpresoj që së shpejti të fitojmë e të kemi vazhdimësi.
Çfarë ndeshje ishte?
E thashë, ishte si një lojë shahu. Nuk pati shumë raste, por shumë beteja në mes të fushës. Për mua ishte një ndeshje që nuk do të kisha dashur ta luaja.
Mos kishit më shumë frikë nga Juventusi?
Sa herë që Juventusi e humbiste topin ata vraponin mbrapa për të mbyllur hapësirat. Imagjinoni nëse do të kishim shënuar të paktën një gol: ndeshja do të kishte përfunduar në çast. Ne u përpoqëm dhe e bëmë duke treguar se kishim ekuilibër. Në rregull, jemi Milani, po luajmë në shtëpi, por gjithashtu duhet të shohim se kush është përpara në renditje.
PANORAMASPORT.AL