Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka pranuar se renditja e tanishme në Champions League është larg pritshmërive, por mbetet optimist për shanset e skuadrës së tij.
Përballja e së martës ndaj Paris Saint-Germain në “Allianz Arena” konsiderohet vendimtare për të dy ekipet, të cilat janë në nevojë për fitore për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.
Bayerni ka humbur dy nga katër ndeshjet e para dhe aktualisht pozicionohet në vendin e shtatëmbëdhjetë, ndërsa vetëm tetë skuadrat më të mira kalojnë automatikisht në fazën e 1/8 të finales. Nga ana tjetër, PSG është jashtë top 24-shes, që siguron një vend në fazën “play-off”.
“Me tri fitore kualifikohesh dhe me gjashtë fitore je në top tetëshen”, ka thënë Kompany. “Renditja aktuale është një sfidë, por kjo është natyra e futbollit. Disa ekipe kanë pasur kalendar më të vështirë, të tjerat më të lehtë. Synimi ynë nuk është vetëm kualifikimi, por të përfundojmë të parët”.
Kompany ka paralajmëruar për cilësitë e PSG-së, duke theksuar se pavarësisht mungesës së disa yjeve të viteve të fundit, skuadra franceze mbetet tejet e rrezikshme. “PSG është një ekip me talent të jashtëzakonshëm. Disa nga lojtarët e tyre aktualë kanë potencialin për të arritur nivelin e emrave që kanë luajtur më parë për klubin”, ka thënë ai. “Ata kanë një trajner të shkëlqyer dhe lojtarë me shumë shpejtësi. Do të jetë një ndeshje e vështirë”.
Ai ka shtuar se pret një duel të hapur. “Nuk pres një ndeshje të mërzitshme… Diçka do të ndodhë”, është shprehur trajneri i “bavarezëve”.