Statistikat i japin të drejtë Herri Kejn të krenohet me titullin “sulmuesi më efektiv” në Europë, por edhe më gjerë. Deri më tani Herri ka shënuar 20 finalizime dhe ka kontribuar në 9 asiste, me një mesatare 1.7 gola për ndeshje, vërtetë e frikshme dhe e padëgjuar në vitet e fundit. Në prag të ballafaqimit me PSG-në në Champions, Kejn është shprehur optimist para mediave.
DUELI – “Do të jetë një lojë e vështirë. Ata janë një ekip i mirë. Parisi përpiqet të dominojnë me zotërimin e topit. Por ne gjithashtu e provojmë këtë. Ne duam ta bëjmë sa më të vështirë për kundërshtarin, të cilin e kemi analizuar mirë”, tha Kejn.
FORMA MBRESËLËNËSE – “Kisha një kohë që nuk ndihesha aq mirë sa tani. Numrat janë gjithashtu shumë të mirë. Ndihem komod. Si një lojtar me përvojë, ju mësoni shumë nga fazat e lojës. Që kur kam qenë në Bajern, shifrat e mia kanë vazhduar të rriten, shpresoj se kjo do të vijoi edhe ne mund ta ngremë nivelin tonë më tej”.
DALLIMI ME SEZONIN E KALUAR – “Ekipi po ushtron më shumë presion. Ne ushtruam më shumë në mesfushë nën drejtimin e Tomas Tuhel. Tani me Vinsent Kompani po përpiqemi të shtyjmë gradualisht përpara. Po përpiqemi të mbajmë topin më shumë. Së dyti, kthimi i ekipit pas humbjes së topit janë komponentë të rëndësishëm për ne, PSG-ja është shumë e mirë me sferën në posedim”, shtoi golashënuesi i kombëtares angleze.
VLERËSIMI PËR MUSIALËN – “Unë padyshim që shpresoj që ai të qëndrojë këtu për një kohë të gjatë. Është një lojtar fantastik, ka të gjitha aftësitë për të qenë një nga futbollistët më të mirë në botë. Xhamal është afër kësaj tashmë këtë sezon. Ai gjithashtu ka shënuar gola me kokë kohët e fundit. Një nga lojtarët më të mirë në fushë”.
CHAMPIONS – “E dimë se duhet të fitojmë pjesën tjetër të ndeshjeve tona për të hyrë në tetë më të mirët. Ne duhet ta bëjmë këtë edhe kundër Parisit. Jemi në shtëpi, që është një avantazh. Fillimi i një periudhe të rëndësishme dhe ne duan ta nisim këtë me një paraqitje të mirë”, e mbylli Kejn.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL