Kombëtarja e femrave po vazhdon përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Rumanisë, e cila do të zhvillohet më 3 dhjetor në stadiumin “Eugen Popescu” në orën 17:00. Vajzat janë grumbulluar që prej ditës së hënë dhe po stërviten në “Shtëpinë e Futbollit”.
Përgatitjet kanë shkuar mirë, ndërsa sot zhvilluan një test miqësor kundër ekipit të djemve U-15 të “Elite Youth Academy”. Ky test miqësor u organizua me qëllim që të vlerësohej forma fizike, për të testuar lojtarët e rinj dhe për të integruar talentet e reja.
“Elite Youth Development Academy” është projekti ambicioz i Federatës së Futbollit, i cili synon të edukojë dhe trajnojë talentet e reja si në aspektin profesional, ashtu edhe atë personal. Ky projekt ka filluar zbatimin që nga shtatori i këtij viti dhe specialistët e ekipeve Kombëtare dhe Drejtorisë Teknike kujdesen për fëmijët e përzgjedhur.
Kombëtarja e femrave do të udhëtojë drejt Rumanisë më 1 dhjetor, ndërsa ndeshja miqësore do të luhet të martën e 3 dhjetorit.