Pas fitores së tij të parë në drejtimin e Manchester United (3-2 kundër Bodo/Glimt), Ruben Amorim tashmë ka përqendruar vëmendjen te ndeshja e Premier League-s kundër Evertonit.
Në një konferencë për shtypin, trajneri portugez zbuloi pritshmëritë e tij dhe tregoi diçka nga mënyra se si do të përgatitet ekipi për t’u përballur me “toffees”:
“Shpresoj të fitojmë. Do të jetë një ndeshje ndryshe, me shumë luftë, topa të gjatë, topa të dytë. Ata kanë një trajner cilësor (Sean Dyche), që e kupton ligën dhe momentin e kundërshtarit. Na duhet të mbajmë topin sepse kemi pak kohë për t’u rikuperuar. Duhet të bëjmë rotacion në ekip. Shpresoj për një fitore dhe të shoh gjëra të reja, të shoh përmirësime te skuadra ime, siç ndodhi nga Ipsëich te Bodo. Dua të shoh gjëra të ndryshme dhe më të mira.”
Trajneri portugez foli gjithashtu për Diogo Dalot dhe menaxhimin që duhet bërë me të:
“Ndonjëherë, do të duhet ta mbajmë pushim, sepse duket gjithmonë i freskët, por nuk është kështu. Nuk është një makinë. Mendoj se ai luan më mirë në të djathtë dhe do të përpiqemi ta vendosim atje. Është një lojtar shumë i mirë, shumë i fuqishëm, dhe mund të luajë në të dyja anët. Sot, një lojtar që mund të luajë në të dyja pozicionet është perfekt, sepse mund ta vendosësh në role të ndryshme.”
“Pres të njëjtin nivel që kemi parë vitin e kaluar – një lojtar i madh që mund të ndihmojë ekipin dhe që është me të vërtetë një lojtar skuadre. E ndjen këtë në çdo aksion, në mënyrën se si ai e përjeton lojën. Për këtë arsye, ai është shumë i rëndësishëm për ne,” përfundoi ai.