Pari Floku, kampion bote në Bodybuilding për kategorinë e të rinje, ishte i ftuar nga gazetari Flavio Qarri në “Kafe Shqeto”, ku tregoi historinë e tij të suksesit, pasionin për këtë sport individual. Një shembull frymëzimi për të rinjtë që, sikurse shprehet vetë kampioni ynë, janë të dhënë më shumë pas qejfeve të moshash.
Si vendose të angazhoheshe në Bodybuilding?
Më herët jam marrë me sporte fizike, me mundje dhe me boks, prej tyre, kur hynin te pjesa e veglave, më tërhiqte pjesa e ngritjes së meshave. Gjatë karantinës, ishim të kufizuar në lëvizje dhe e lashë boksin. Qëndroja në shtëpi dhe ndiqja influencerat e Instagramit dhe iu futa pak më thellë pjesës së palestrës. Më tërhoqi shumë regjimi ushqimor dhe stërvitor, për të pasur një trup të bukur.
I ke mësuar vetë hilet e regjimit?
Duke parë trupin tim dhe të klientëve kupton më shumë, sepse unë jam edhe trajner personal ‘online’. Në këtë fushë nuk mund të thuash i di të gjitha, mëson pa fund, gjatë gjithë kohës duhet të jesh i hapur për të mësuar gjëra të reja.

Të ka mbetur njeri në dorë?
Jo, jo (qesh). E kam mbajtur regjimin ushqimor edhe pas gare. Unë kam një parim që puna e gjithë vitit shfaqet në ato dy minuta në skenë. Unë ia dedikoj gjithë vitin pikërisht atyre momenteve në skenë. Sigurisht që ka momente që ia dedikoj familjes, por nuk abuzoj kurrë me ushqimin.
Ju jeni nga Berati, qytet i famshëm për gatimet…
Në fillim e kam pasur të vështirë, sepse jam shumë i fiksuar pas ushqimeve. Mamaja më thoshte: “I do njeriu, i do robi”. Në këto momente nuk e kam farë në mendje ushqimin, sepse e di që është e pamundur t’i ha. Në momentin që ke arritur të kontrollosh trupin tënd, atëherë ke fituar shumë.
Për pesë vjet mund të konkurroni ende në Kategorinë Junior, pra deri 23 vjeç. Cili është objektivi yt kur të bëhesh 24 vjeç? Mund të bëhesh shqiptari i parë që merr pjesë në “Mr. Olympia”?
Shpresoj shumë, por nuk është ky synimi im. Synimi im është të ngrihemi të gjithë si komb dhe të krijojmë një kulturë për Bodybuilding. Do të doja që një shqiptar tjetër të shkonte para meje. Kjo arrihet me shumë punë, dedikim… Kam pak moshatarë të mi që merren më këtë sport, janë të tërhequr me shumë me qejfet e moshës. Nuk është faji i tyre, jam unë ndryshe.
Cili është moment yt më i vështirë në palestër?
Këmbët, sepse përveçse të dhemb muskuli, të dhembm edhe koka.
Ke pasur trajner?
Jo, jam stërvitur pa trajner gjatë gjithë kohës, tani kam marrë trajner, dy-tre muaj para garës. Kam marrë një trajner të huaj. Në fillim e nisa me një shqiptar, edhe ai më ka ndihmuar shumë, më pas kalova tek i huaji.


