Barcelona u kthye te sukseset në kampionatin spanjoll duke mundur thellë në transfertë Majorken 5 me 1.
Dueli hapës i javës së 16 të La Ligës i dha mundësi katalanasve që të shkojnë të paktën për momentin me një distancë plus 4 pikë kundrejt Realit ndjekës i cili sot ka një impenjim ndjeshëm të vështirë në transfertë kundër Atletik Bilbaos.
Rikthimi nga dëmtimi i yllit të tyre Lamin Jamal ndikoi jo pak në performancën e miqve në këtë ndeshje.
Ferran Torres kaloi Barcelonën në avantazh në minutën e 12, mirëpo pjesa e parë do të mbyllej në barazim pasi në fund Vedat Muriqi barazoi shifrat për të zotët e shtëpisë me sulmuesin dardan që shënon rregullisht ndaj ekipeve të mëdha në La Liga përfshirë këtu Realin dhe Barcelonën.
Katalanasit sidoqoftë bënë një pjesë të dytë super.
Jamal fitoi një penallti në minutën e 55 dhe Rafinja nga pika e bardhë e penalltisë nuk mund të gabonte. Braziliani ishte protagonist edhe në minutën e 74 me golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën e Hansi Flik, edhe në këtë rast falë shërbimit të Jamal.
Talenti i akademisë së Barcelonës nuk u ndal me kaq por pak më vonë shërbeu një pasim të saktë edhe për De Jong që realizoi golin e katërt, ndërsa në minutën e 84 ishte radha e vetë De Jong që të pasonte për Pau Viktor që mbylli ndeshjen me fitoren e thellë 5 me 1. 1 pikë në 3 ndeshjet e fundit për Barcelonën, e cila pas këtij suksesi merr frymë thellë./vizionplus.tv