Tre gola, tri pikë dhe shumë lajme pozitive. Simone Inzagi e ka arkivuar ndeshjen me Parmën me një provë force të vazhdueshme dhe vazhdon që të ketë një menaxhim perfekt të të gjitha aspektet në këtë tur ndeshjesh të dhjetorit.
Zikaltrit treguan një organizim të jashtëzakonshëm, një lojë pozitive në mesfushë dhe konfirmuan një Dimarko në formën e tij më të mirë. Në 13 ndeshjet e fundit, ruli zikaltër ka arritur që të mbledhë 11 fitore. Statistikë që në fakt tregon kualitetin që kanë lojtarët dhe formën shumë të mirë të grupit të Inzagit.
DIMARKO, SUPER- Për t’u futur tek detajet. Kundër Parmës ndodhi ajo që ka ndodhur gjithmonë në këto ndeshje, soliditeti dhe superioriteti i lojtarëve në mesfushë që bëjnë diferencën. Sigurisht që për të thyer akullin e ndeshjes mendoi Federiko Dimarko me një gol shumë të bukur. Por mesfusha është ajo që dominoi ndeshjen me qarkullimin e topit dhe me vertikalizimet e sakta duke i dhënë një ritëm të shfrenuar ndeshjes.
Ritëm që me kalimin e minutave nxori jashtë shinave të besuarit e Pekias dhe e bënë të kot fazën e tyre pa top. Forca e Interit ka ekzaltuar vizionin e lojës së Mkitarianit, lëvizjet e Barelës për të depërtuar mes linjave. Një binom perfekt që së bashku me gjeometrinë konkrete të Çalhanoglusë ka vendosur ndeshjen me Parmës. Pa harruar edhe krahët. Nëse në një anë Dimarko ka rezultuar më vendimtari për të zhbllokuar ndeshjen, Dumfris ka shtyrë vazhdimisht në të djathtë dhe ka dominuar krahun. Dy lojtarë që shërbejnë për të shtyrë në zonën e tyre mbrojtjen kundërshtare dhe për të fituar terren.
STONON LAUTARO- Interi është si një orkestër perfekte, por që po stonon ai që më pak pritej, Lautaro Martinez. Ndaj Parmës, as Lautaro dhe as Turam nuk e rrëmbyen skenën, por bënë dy ndeshje ndryshe nga njëritjetri. Sa i përket francezit, autori i golit të tretë me Parmën, përshtypja ishte që ndodhej në kohën dhe momentin e duhur gjithmonë, edhe kur nuk është në ditën për të dominuar në çdo duel. Diskutim krejt ndryshe për kapitenin.
Është nervoz dhe kërkohet gjithmonë nga shokët e skuadrës. Argjentinasi vrapon dhe lufton duke rikuperuar topa dhe duke luajtur për skuadrën. Por është pak i kthjellët dhe i saktë përpara portës kundërshtare. Ndonjëherë bën zgjedhjet e gabuara dhe kjo ndodh sepse goli i mungon shumë. Nuk ka qetësi dhe kjo është e dukshme. Një lloj shqetësimi e kanë të gjithë në shtëpinë e Interit sepse Lautaro është njeriu i golave dhe bomberi që duhet të bëjë diferencën. Dhe pa golat e tij, mund të themi që nuk është Interi 100%.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL