Real Madridi duket se është rikthyer në formë të mirë, pasi arriti fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit, përfshirë triumfin në Kupën Interkontinentale. Carlo Ancelotti, në një konferencë për shtypin, komentoi këtë situatë, duke konfirmuar se kishte mbështetjen e Florentino Pérezit dhe se për këtë arsye nuk e ndjeu rrezikun për pozicionin e tij.
Skuadra e Carlo Ancelotti-t zhvillon një nga paraqitjet më të mira të sezonit dhe la pas Barcelonën.
“Nuk e kam ndier asnjëherë veten në rrezik, duke e ditur se si trajner, kur gjërat nuk shkojnë mirë, ne mbajmë përgjegjësi. Falë lojtarëve dhe klubit, që nuk më tregoi asnjëherë shqetësim dhe më dha mbështetje, qetësi dhe besim, po e kalojmë momentin jo të mirë.
Në këtë aspekt, ata më kanë mbështetur shumë, dhe kjo është ajo që një trajner ka nevojë kur momenti është i komplikuar. Florentino ishte shumë i qartë me mua dhe më dha qetësinë për të dalë nga kjo situatë,” deklaroi ai.
Ancelotti gjithashtu lavdëroi skuadrën për paraqitjen dhe për tri pikët e fituara:
“Vlerësimi për skuadrën është i shkëlqyer, sepse ishim shumë mirë në të gjitha aspektet. Sezoni i kaluar ishte fantastik, këtë sezon e nisëm jo mirë, por falë qëndrimit tonë kemi korrigjuar situatën në kohë dhe tani presim me padurim vitin 2025. Të përsërisim një vit si ky është shumë e vështirë, por do të provojmë, duke pasur parasysh cilësinë e lartë të skuadrës.”
Trajneri italian lavdëroi momentin e sulmuesit francez, por mendon se ka ende hapësirë për përmirësim.
Ancelotti foli gjithashtu për komentet e tij para ndeshjes, kur tha se Kylian Mbappé kishte përfunduar periudhën e adaptimit, një fakt që u konfirmua me një gol dhe një asistim:
“Ai ishte autokritik, prandaj doli shpejt nga një situatë që mund të ishte e komplikuar për të dhe tregoi të gjithë cilësinë e tij. E thashë dje që periudha e adaptimit kishte përfunduar, dhe sot ai tregoi që kam pasur të drejtë,” u shpreh trajneri me humor.