Në verën e vitit 2022, Pierre-Emerick Aubameyang përjetoi një situatë tmerruese në shtëpinë e tij në Barcelonë, kujtimi i së cilës ende e ndjek. Në një intervistë për ‘The Athletic’, sulmuesi flet për atë incident dhe si ai ndikoi në vendimin e tij për t’u transferuar në Arabinë Saudite.
Rreth asaj nate të 28 gushtit 2022, Aubameyang kujton se si u ndërpre nga i biri ndërsa po luante videolojëra.
“Djali im i madh hyri dhe më tha: ‘Baba, ka njerëz në shtëpi,’ dhe unë i thashë të fshihej. Ata kishin ardhur nga rruga, ku gruaja ime ishte duke pirë cigare me kushërirën time dhe të dashurin e saj. Ata kishin një armë, e kapën atë dhe hynë brenda në shtëpi. Gruaja ime vetëm bërtiste,” rrëfen ai.
Tani lojtar i Al-Qadisiyah, Aubameyang tregon se si kapi një shishe të madhe dhe u ngjit lart për t’u përballur me agresorët.
“Ishin katër ose pesë veta dhe ai që kishte pistoletën më tha të ulesha. Refuzova dhe iu përgjigja: ‘Më thuaj çfarë do’. Biseduam dhe ai më tha: ‘Ulu,’ dhe unë iu përgjigja: ‘Jo.’ Atëherë filloi të më godiste,” kujton ai.
Aubameyang thekson se, po të ishte vetëm në shtëpi, do të përballej fizikisht me ta. Por diçka ia ndryshoi mendjen menjëherë.
“Unë mund të duroj gjithçka. Prindërit e mi më kanë mësuar të jem i përgatitur për çdo gjë që ndodh në jetë. Por kur njëri prej tyre zbriti poshtë dhe kapi fëmijët e mi… Atëherë, nuk mund të bëja asgjë. Nëse bëja një gabim, mund t’u ndodhte diçka atyre. Prandaj, shkuam nëpër shtëpi dhe u dhashë atë që kërkonin,” shton ai, duke përshkruar grabitjen ku u morën bizhuteri, ora dhe sende të tjera me vlerë.
Më e keqja, megjithatë, ishte trauma që shkaktoi ajo ngjarje.
“Pas kësaj, fëmijët e mi nuk donin të shkonin në shkollë, ishin të frikësuar. Për një vit, më i vogli thoshte se nuk mund të flinte vetëm. Ishte shumë e vështirë; gjithmonë mendonim për atë që ndodhi,” zbulon ai, duke pranuar se edhe ai vetë mbeti i tronditur.
“Për shumë net nuk mund të flija dhe mendoja shumë për atë ngjarje. Kam makthe. Jam një person që, nëse nuk fle mirë, nuk mund t’i jap ekipit atë që pret nga unë. Ende e kam shtëpinë në Barcelonë, por nuk jam kthyer më aty. Po mendoj ta jap me qira, sepse fëmijët e mi nuk duan të shkojnë në Barcelonë. Kam bërë një gabim që nuk kam folur me askënd. Nëse do të flisja me një terapist, ndoshta do të më ndihmonte. Por nuk doja të bëja asgjë, isha i humbur,” përfundon ai me keqardhje.