Një lajm interesant vjen drejtpërdrejt nga Meksika dhe lidhet me një nga lojtarët më të talentuar të 20 viteve të fundit. James Rodriguez, mesfushor kolumbian i lindur në vitin 1991, mund të vazhdojë karrierën e tij te Club Leon, një skuadër që do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, e cila do të zhvillohet në SHBA nga 14 qershori deri më 13 korrik.
Ishte vetëm çështje kohe dhe në orët në vijim pritet zyrtarizimi: ish-lojtari i Real Madridit dhe Bayernit do të largohet nga Rayo Vallecano dhe do të firmosë zgjidhjen e kontratës, duke hequr dorë nga paga që do të merrte deri më 30 qershor, data kur kontrata e tij do të skadonte – një shumë prej rreth 1.2 milionë eurosh bruto.
Megjithëse arriti objektivin për t’u rikthyer në Madrid, James nuk ia doli të gjente hapësirë në ekipin e drejtuar nga Íñigo Pérez dhe do të largohet pas vetëm 7 paraqitjeve zyrtare. Trajneri ka preferuar “bllokun” e tij të besuar, të cilët ndjekin gjithmonë stilin e tij të lojës, duke penalizuar numrin 10 dhe talentin e tij të veçantë. Karakteristika që, me sa duket, nuk përputhen mirë me një ekip që lufton për të qëndruar në elitën e futbollit spanjoll.
Për disa, ky ishte një fund i parashikuar; për të tjerë, situata mund të kishte shkuar ndryshe. Gjithsesi, frika e humbjes së objektivit të madh të Botërorit 2026 ka ndryshuar perspektivën e James, i cili javët e fundit ka bërë presion dhe ka dhënë intervista që nuk janë pritur mirë nga drejtuesit. Ndryshim total tani, me objektiva të rinj në horizont.