Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, foli për mikrofonët e DAZN pas ndeshjes në shtëpi kundër Bolonjës, e cila përfundoi në barazim 2-2.
“Komplimente për Bolonjën, një kundërshtar i vështirë, por këtë e dinim. Ne sapo kishim përfunduar një periudhë të ngarkuar ndeshjesh. Skuadra ishte mirë në fushë, luftoi, krijoi dhe dha atë që duhej. Sidomos te goli i dytë që pësuam nga një rivënie anësore, duhej të pozicionoheshim më mirë, por më pas patëm shumë raste për të bërë golin e tretë. Skuadra bëri atë që duhej, ndiejmë keqardhje që nuk morëm 3 pikët, por duhet të respektojmë kundërshtarin.”
Ndonjëherë edhe një pikë mund të vlejë…
Jam dakord, por kemi pak shije të hidhur për rastet që kishim për të bërë 3-2. Bolonja është një skuadër fizike, na vinte gjithmonë lart për presion. Bëmë një ndeshje shumë të lodhshme dhe shënuam 2 gola të bukur. Në disa situata mund të kishim bërë më mirë.
Më shumë keqardhje për golin e dytë apo që nuk shkuat në pushim me një avantazh më të madh?
Të dyja situatat. Goli erdhi nga një rivënie anësore, pastaj një pasim mbrapa dhe një devijim. Kundërshtari ishte i zoti, por ne mund të mbroheshim më mirë. Po vinim nga ndeshje ku ishim mbrojtur mirë. Donim 3 pikët, por kemi shumë respekt për kundërshtarin.
A ishte kjo një mbrëmje që mund të japë besim te kundërshtarët tuaj?
Nuk e di, ne shikojmë vetëm veten. Vinim nga 6 fitore radhazi në kampionat, që na kishin vendosur në një pozicion shumë të mirë në renditje. Duhet të vazhdojmë, duke ditur se duhet të bëjmë më shumë. Kemi probleme me rotacionet dhe kalendarin, por kjo është e njëjtë për të gjithë dhe ndeshjet e kampionatit janë shumë të vështira.”
Tensioni në fund?
Nuk ka asnjë problem. Djemtë ishin pak nervozë dhe nuk doja që dikush të kalonte kufirin me protestat. Arbitrat mund të gabojnë, si sot dhe si në Superkupë, por kemi respekt maksimal për ta. Në fund ishte situata me Frattesin, por ashtu siç gabojmë ne, gabojnë edhe arbitrat.”