Shumëkush pyet ende veten si ishte e mundësuar që Sharl De Keteleare nuk tregoi asgjë me Milanin nën drejtimin e Stefano Piolit, por u kthye përsëri fenomen sapo kaloi te Atalanta nën urdhrat e Gasperinit. Por ish-trajneri i Milanit, insiston se nuk ka qenë vetëm faji i tij që belgu nuk dha atë që pritej, ashtu siç tregoi në një intervistë për “Radio TV Serie A”.
“Sinqerisht mendoj se gjatë karrierës time kanë qenë shumë më shumë lojtarët nga të cilët ia kam dalë të marr shumë, më shumë se të tjerët. Qartësisht ka edhe lojtarë si Sharl De Ketelare. Që tani e përmendin të gjithë, por qartësisht që nuk besoj se është vetëm faji im. E qartë është edhe që diçka ndoshta nuk ka funksionuar, ndërsa tani me Gasperinin po funksionon edhe falë ambientit. Një lojtar i tillë mund të jetë ai, ashtu siç mund të ketë të tjerë.
Reijnders? E njihja, e kisha parë në një ndeshje Uest Hem-AZ Alkmar. Është një lojtar me inteligjencë, klas dhe cilësi të pabesueshme. Vitin e kaluar kishte shumë mundësi për të bërë gol. Ai ka një goditje të mirë, por e kishte të vështirë të shënonte. Viti i parë në Itali është gjithmonë më i vështirë.
Pulisiç? Një tjetër lojtar me një mentalitet dhe një cilësi të pabesueshme. Qartësisht e njihja, por pas video-telefonatës së parë që bëmë, pashë një person të përulur dhe me shumë dëshirë për të bërë një eksperiencë të re. Kristian është një njeri dhe lojtar i madh. Mund të luajë në shumë role, ishte një kënaqësi e vërtetë ta stërvitja”, tha Pioli.
PANORAMASPORT.AL