Al-Hilal është gati që t’i ofrojë sulmuesit të Liverpulit, Mohamed Salah, një kontratë të jashtëzakonshme nëse ai dëshiron të largohet nga Europa dhe të luajë në Arabinë Saudite.
Kampionët sauditë po kërkojnë një transferim të profilit të lartë për të zëvendësuar Nejmarin. Kontrata e yllit brazilian skadon në fund të këtij sezoni dhe AlHilal mund të ofrojë ta bëjë Salahun një nga emrat e mëdhenj në Kupën e Botës për Klube të zgjeruar në SHBA gjatë muajve qershor dhe korrik. Sulmuesi i Liverpulit, i cili është në skadencë kontrate në “Anfield”, ka qenë i lirë të flasë me klubet e huaja që nga fillimi i këtij muaji.
Liverpuli refuzoi një ofertë prej 150 milionë paundësh për Salahun nga Al-Itihadi në gushtin e vitit 2023, duke e deklaruar lojtarin e tyre të pashitshëm. Një nga figurat më të fuqishme të sportit saudit, Turki Alalshik, postoi të mërkurën në “Facebook” një foto të montuar të Salahut me një fanellë të Al-Hilalit. Alalshik është kryetari i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit në Arabinë Saudite dhe është i afërt me sundimtarin de-fakto të Mbretërisë, Princit të Kurorës, Mohamed bin Salman. Alalshik ka organizuar investimin e madh të Arabisë Saudite në boks, por ai njihet gjithashtu për lidhjet e tij me Al-Hilalin.
Sulmuesi egjiptian, i cili do të jetë 33 vjeç në qershor, beson se është ende në kulmin e tij dhe mund të vazhdojë të luajë në nivelin më të lartë në Europë. Mediat kanë zbuluar edhe shifrat e mundshme. Duke qenë se Salah mund të shkojë në Arabi pa kosto transferimi, burimet nga andej raportojnë se AlHilali mund t’i ofrojë një kontratë 2-vjeçare, nga e cila lojtari do të përfitonte 65 milionë paund në total.
Autori i 18 golave dhe 13 asisteve në 20 ndeshje të Premier Ligës këtë sezon, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, ka përsëritur vazhdimisht se ai do dëshironte që të qëndronte në “Anfield”, por klubi deri tani nuk i ka ofruar një kontratë të re. Salah do të gjente në Arabi Kristiano Ronaldon, i cili thuhet se ka arritur një marrëveshje 1- vjeçare për të rinovuar kontratën me Al-Nasr. Ajo do ta konfirmonte portugezin futbollistin më të paguar në botë: 39-vjeçari fiton rreth 164 milionë paund në vit në Arabi, ndërkohë që 49 milionë paund të tjera vijnë për kontributin e tij jashtë fushe.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL