Egnatia ka fituar me shifrat 4:0 duelin ndaj Tiranës në “Arenën Kombëtare”, duke konfirmuar diferencën shumë të thellë që është krijuar tashmë mes skuadrave që luftojnë për titull si ajo rrogozhinase dhe bardhebluve të cilët janë kthyer në kandidatë kryesorë për rënien nga kategoria.
Skuadra e Maganit rezistoi vetëm në pjesën e parë ku nuk krijoi shumë, por as nuk lejoi rrogozhinasit që të krijonin. Sapo ajo filloi të linte hapësira prapa duke tentuar të dilte në sulm, u shpërbë plotësisht, e goditur nga dy gola të rrufeshëm të Ujkës dhe Lushkjes.
Aty ndeshja praktikisht mbaroi për Tiranën, e cila nuk kishte forcë të reagonte dhe vetëm pësonte aksionet e njëpasnjëshme të rrogozhinasve të cilët tundën rrjetën edhe dy herë të tjera para fundit të sfidës, duke marrë një fitore të thellë që i katapulton në kreun e klasifikimit për momentin.
Ndërkohë, Tirana vazhdon të zhytet gjithnjë e më shumë në klasifikim dhe duke parë serinë e rezultateve të fundit, është kandidatja kryesore për rënien nga kategoria.