Ka nisur zyrtarisht epoka e Luis Ham ilton në Maranelo. Ploti britaniku ka mbërritur në selinë e Ferrarit për të nisur aventurën e tij me “kokëkuqen”. Një ardhje e pritur me padurim jo vetëm nga ekipi dhe tifozët, por gjithashtu edhe nga vetë shtatë herë kampioni i botës në Formula 1.
“Ka ditë që e dini se do t’i mbani mend përgjithmonë dhe sot është e para për mua si piloti i Ferrarit, është një nga ato ditë. Asnjëherë nuk e kam menduar se ishte e mundur, por një pjesë e imja ka pasur gjithmonë ëndrrën për të hipur në njëvendëshen e kuqe dhe nuk mund të isha më i lumtur që ta realizoja atë ëndërr sot. Fillojmë një epokë të re në historinë e këtij ekipi legjendar dhe mezi pres të shoh se çfarë historie do të shkruajmë së bashku.
Jam shumë i emocionuar për të filluar këtë epokë të re dhe për t’u takuar dhe punuar me një grup personash kaq shumë talent dhe inspirim. Do të jap gjithçka që kam për ekipin dhe tifozët”, deklaron Luis Hamilton në ditën e tij të parë në Maranelo. 40-vjeçari shfaqet i emocionuar dhe tejet elegant në Maranelo, duke u prezantuar kështu në ekipin e ri. Me programin në dorë, Hamilton do të prezantohet me një numër më të madh teknikësh në Maranelo, do të kontaktojë me skuadrën që do ta ndjekë gjatë gjithë sezonit dhe më pas do t’i përkushtohet prekjeve të fundit të sediljes dhe testeve të simulatorit.
Për shkak të kushteve të motit, Luis nuk do të futet menjëherë në makinë për t’u njohur me të gjitha sistemet e kontrollit të Ferrarit. Ai pritet të zbresë në pistë me modelin “SF-23” këtë të mërkurë në Fiorano për të bërë edhe xhirot e para me Ferrarin. Ditën e parë të pilotit britanik e ka përshëndetur edhe Ferrari me anë të një deklarate në faqen zyrtare: “Aventura e Luis Hamilton në skuderinë Ferrari ka filluar. I vetmi pilot me shtatë tituj kampion bote në F1 si Mikael Shumakeri, u mirëprit nga drejtori i ekipit, Fred Vasër, dhe CEO i Ferrarit, Benedeto Vinja.
Fotot tradicionale të ditës së parë u bënë atje dhe moti gjithashtu ndihmoi që Luis të ndihej si në shtëpinë e tij, me qiellin tipik britanik me re dhe shi. Gjithashtu kishte një Ferrari F40, super-makinën e tij të preferuar. Puna vijon të martën e me më shumë takime teknike dhe informime teksa nisin përgatitjet për një sezon mjaft të ngarkuar”, shkruan ndër të tjera Skuderia Ferrari.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL