Sunday, 16. August 2026
Sport

Trepça dhe Prishtina kërkojnë finalen e Kupës

GS 29/01/2025 2 Min. Lesezeit

Sot, do të përcaktohet skuadra e parë finaliste në Kupën e Kosovës në basketboll.

Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, do të luhet ndeshja e dytë gjysmëfinale ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës, e cila nis në orën 18:30.

Prishtina e ka fituar gjysmëfinalen e parë, të luajtur në kryeqytet para dy javësh me rezultatin e ngushtë 67:65, të cilin synon ta mbrojë.

Në fakt, Prishtina e ka mposhtur Trepçën në dy ndeshjet e fundit, pasi javën e shkuar triumfoi në Mitrovicë në kuadër të Superligës së Kosovës.

Kështu që, gjysmëfinalja e dytë ndërmjet këtyre dy skuadrave pritet të jetë e zjarrtë kurse atmosfera në palestër pritet ta konfirmoj një gjë të tillë.

Prishtina është në seri pozitive prej gjashtë fitoreve pasi në kampionat e ka mposhtur Proton Cable Prizrenin, Borën, Golden Eagle Yllin, Trepçën dhe Pejën.

Është e treta në tabelë me 30 pikë, dy më pak se Trepça që zë vendin e dytë, por që nuk ka treguar formë të mirë javët e fundit.

Në çerekfinale të Kupës, Trepça e eliminoi Proton Cable Prizrenin, ndërsa Prishtina e eliminoi Pejën.

 

 

Teilen: