Do të luhen sonte në mbrëmje 90 minutat e fundit të kësaj faze të parë të Ligës së Kampioneve e konceptuar me grumbullim pikësh. Dhe nuk do të jenë 90 minuta sa për të përmbushur kalendarin. Sa u përket skuadrave spanjolle, situata për disa është e qartë dhe për të tjera do të jenë 90 minutat e fundit që do të ndajnë fatin e tyre.
BARCELONA – ATALANTA
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flik është klasifikuar matematikisht mes tetë vendeve të para që sigurojnë një biletë direkt për në 1/8 e finaleve. Në çdo rast edhe nëse humbet, Barça nuk mund të zbresë më poshtë se vendi i pestë në renditje. Por ka shanse për të kapur vendin e parë nëse fiton ndeshjen e saj me Atalantën dhe Liverpulin aktualisht kryesues mundet në Holandë përballë PSV-së.
BREST – REAL MADRID
Kampionët në fuqi të Europës do ta vijojnë rrugëtimin e tyre në Evropë nëpërmjet “play off”-it, 100%. Ata ëndërrojnë dhe një vend mes “top 8”, por që në realitet ngjan me një mision thuajse të pamundur. Ndaj objektivi real i Realit është të fitojë me shumë gola ndaj Brestit, për të siguruar një pozicion sa më të mirë mes vendeve 9 dhe 16.
SALZBURG – ATLETIKO MADRID
Atletiko me shumë gjasa mund të jetë e dyta skuadër spanjolle që siguron kualifikimin direkt në 8 më të mirat pas Barcelonës. Nëse fiton në Austri siguron një nga 8 vendet e para, por në varësi të kombinimeve mund ta mbyllë deri në vendin e tretë. Nëse barazon ose humbet do të mbetej jashtë 8 më të mirave nëse kualifikohen katër nga skuadrat në vijim: Milan, Atalanta, Leverkusen, Aston Vila, Monako, Lilë ose Brest.
GIRONA – ARSENAL
Girona është e vetmja skuadër spanjolle që e ka mbyllur rrugëtimin e saj në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. E vetmja kënaqësi, një tjetër përballje me një emër të madh të futbollit anglez dhe atij europian.
PANORAMASPORT.AL