Robert Levandovski kthehet edhe njëherë tjetër përcaktues për Barcelonën. Polaku zhbllokoi një ndeshje që dukej se po shkonte jo mirë për skuadrën e bllokuar nga një Alavesh agresiv.
Johan Krojf gjithmonë ka thënë se kur Barcelona dhe Reali i Madridit luajnë mirë, fitojnë gjithmonë, sepse janë më të mirë se të tjerët. Problemi është kur ata luajnë keq, sepse atëherë historia bëhet e ndërlikuar. Këto janë ndeshjet që duhen fituar nëse doni të jeni kampionë. Madridi nuk e bëri këtë në “Cornella” kundër Espanjolit, por Barça e bëri kundër Alavesh.
Dhe Levandovski ishte lojtari kyç. Jo më kot është golashënuesi më i mirë në La Liga. Golashënuesit e mëdhenj duhet të shfaqen në momente të vështira, jo kur rezultati është 3- 0. Dhe polaku u shfaq kur ekipi i tij kishte më shumë nevojë për të. Ai shënoi një gol oportunist në shtyllën “e dytë”, duke përfituar nga një largim nga mbrojtja kundërshtare. Një gol që konfirmon se ai është një tjetër në këtë vit 2025.
DHJETORI I TMERRSHËM Levandovski kishte marrë shumë kritika në fund të vitit të kaluar. Sulmuesit jetojnë me golat dhe dhjetorin e kaluar ai mbeti pa gola. Dhe kjo përkundër faktit se ai e kishte nisur shkëlqyeshëm sezonin dhe tashmë ishte golashënuesi më i mirë në kompeticion. Askush nuk mund të shpjegojë pse, por e vërteta është se sulmuesi nuk ishte në gjendje të gjente golin. Nuk ishte njësoj si në fillim, edhe pse kjo po ndodhte edhe me ekipin.
NJË GOL NË 301 MINUTA Në pesë ndeshjet që Barcelona luajti në dhjetor, sulmuesi 36-vjeçar shënoi vetëm një gol, i cili u zhvillua në “Benito Villamarín” (Sevilje). Ai kishte luajtur gjithsej 301 minuta në ndeshjet kundër Atletikos së Madridit, Leganes, Dortmund, Betis dhe Majorka. Dhe skuadra e ndjeu menjëherë, sepse humbi tetë pikë në La Liga në ato ndeshje. Mbetej për t’u parë nëse lojtari do të rigjenerohej pas festave të Krishtlindjeve.
“RINGJALLJA” NË 2025-ën Përmirësimi i Levandovskit ka qenë i padiskutueshëm dhe këtë e thonë shifrat. Deri më tani këtë vit, polaku ka luajtur tetë ndeshje me gjithsej shtatë gola. Mesatarja është e shkëlqyer. Ai shënon një gol çdo 73 minuta. E bëri atë kundër Alaveshit, Valencias, Realit të Madridit, Benfikës dhe Barbastros. Kundër këtyre dy rivalëve të fundit nga dy gola. Dhe e veçanta është se sa herë që ai shënon, Barcelona fiton. Kur nuk e bëri, humbi dy pikë ndaj Getafes.
LËVDATA NGA FLIK “Jam i lumtur me të gjithë ekipin. Levandovski u përpoq të shënonte, nuk ishte e lehtë, sepse ata mbroheshin shumë mirë. Është puna e tij. Unë gjithmonë them se një 9- sh është më mirë brenda zonës. Ishte shumë e rëndësishme që ai shënoi në një ndeshje kaq të vështirë”, tha trajneri gjerman pas ndeshjes.
ADMINISTRIMI Trajneri e njeh shumë mirë Levandovskin, pasi ka qenë me të gjatë kohës që ishte trajner i Bajernit. Dhe ai ka qenë kyç në përmirësimin e tij, duke ditur se si të marrë më të mirën nga polaku, duke i dhënë herë pas here pushim. Realiteti është se, pavarësisht se e la në stol për disa ndeshje dhe e zëvendësoi në disa të tjera, performanca e tij është rritur dukshëm.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL