Pritja ishte relativisht e gjatë. E ndoshta pikërisht për këtë gjë, Randal Kolo Muani nuk ka dashur të humbasë më shumë kohë te Juventusi, por të gjejë menjëherë rrugën e rrjetës dhe të fitojë zemrat bardhezi në vetëm dy ndeshje.
U deshën 7 ditë që Kolo Muani të merrte dritën jeshile për të kaluar nga PSG-ja te Juventusi, por vetëm 90 minuta për t’u bërë golashënuesi i katërt më i mirë i Juventusit në këtë kampionat. Me 3 gola mbi shpinë, Kolo Muani renditet pas Vlahoviçit, Ueah dhe Kenan Jildizit.
Mesatarja e golave është e jashtëzakonshme. 1 gol çdo 57 minuta, duket si një tornado. Shumë tifozë bardhezi, që zbarkimin e francezit në Torino e panë me hije dyshimi për shkak të situatës nga lojtari po vinte, tashmë e duan, madje e duan më shumë se këdo tjetër në skuadër. Ai u ka rikthyer në mendje një tjetër sulmues francez, që në atë kohë vinte nga Monako dhe quhej Trezege. Më pas ai u bë golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e “Zonjës”.
TRANSFERIMI- Kolo Muani u paraqit në Kontinasa me një formulë të thjeshtë. Huazim i thatë, pa të drejtë blerjeje, edhe pse planet e Juventusit janë të tjera. “Zonja” do ta ketë në shtëpi francezit për një kohë të gjatë. Gjithçka varet nga mënyra se si do të shkojnë gjërat në muajt deri në fund të sezonit. 1 milionë euro ka paguar deri më tani për huazimin Juventusi, por për ta blerë përfundimisht duhen edhe 65 milionë euro për të bindur PSG-në ta lerë të lirë. Megjithatë, Xhuntoli ka një tjetër plan. Kërkon që të shtyjë huazimin edhe me një tjetër vit, duke paguar një shumë të majme, e më pas ta blejë atë përfundimisht në vitin 2026 për 45 milionë euro. Puna ka filluar dhe tashmë është gjithçka në dorë të klubeve, pa anashkaluar dëshirën e lojtarit që ka filluar ta dashurojë Torinon që në ditët e para
SITUATA- PSG-ja investoi për Kolo Muaninë plot 95 milionë euro për ta blerë nga Eintrahti i Frankfurtit. Aktualisht sulmuesi peshon në bilancin e parizienëve rreth 65 milionë euro, po aq sa shuma që PSGja kërkon të grumbullojë për mos dalë me humbje. Juventusi nga ana tjetër, ka dy objektiva. Fillimisht uljen e kostos së operacionit, dhe duke e shtyrë për në bilancin e vitit 2026, atëherë pesha ekonomike në arkat e Parisit do të reduktohej në 45 milionë euro.
Sigurisht në këtë rast do të paguhej edhe huazimi 1-vjeçar me një shumë të majme, por që nuk do të rëndonte menjëherë bilancet e Juventusit. Gjithashtu të ardhurat për të blerë Kolo Muaninë mund të vijnë nga shitja e Dushan Vlahoviçit që nuk është më i preferuar te “Zonja” dhe në verë pritet të largohet.
Kjo gjë do të sillte dhe uljen e kostove që Juvja paguan për rrogat e lojtarëve. Dushan Vlahoviç paguhet 12 milionë euro, por pjesa tjetër e skuadrës nuk merr më shumë se 5 milionë euro në sezon. Diferenca është e madhe dhe me Kolo Muaninë, por pa Vlahoviçin kjo diferencë do të reduktohej. Kështu, Xhuntoli nuk kërkon të humbasë më kohë, por po përpiqet të gjejë zgjidhjen sa më parë, në mënyrë që të blejë përfundimisht sulmuesin francez.
PANORAMASPORT.AL