Trent Aleksandër-Arnold do ta humbasë ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupas Karabao të Liverpulit kundër Totenhemit sonte mbrëma për shkak të dëmtimit që pësoi në Bornmëth të shtunën.
Mbrojtësi i djathtë çaloi në minutën e 70-të, duke mbajtur kofshën e djathtë me dorë dhe u zëvendësua nga Konor Bredli. Arne Slot konfirmoi mungesën e tij në konferencën e tij për shtyp të mërkurën, por gjithashtu shpjegoi se ai nuk pret që mbrojtësi të mungojë për një kohë të gjatë. Liverpuli përballet me Plajmuthin në Kupën FA të dielën, ndjekur nga derbi i riplanifikuar i Mersejsajdit kundër Evertonit tri ditë më vonë.
Slot tha: “Po, ai do të mungojë nesër. Ne duhet të shohim nëse ai është në gjendje të luajë të dielën. Ai nuk është i disponueshëm për Totenhemin. Ai u largua nga fusha me pak dhimbje në këmbë kundër Bornmëthit, kjo është arsyeja pse ai mungon. Ai tashmë është kthyer në fushë me trajnerin e rehabilitimit, le të shohim se sa kohë do të zgjasë”.
Trajneri holandez është i kënaqur me skuadrën që ka dhe tha për faktin që Liverpuli nuk bëri asnjë afrim në merkaton e janarit: “Por ndoshta nuk ka shumë menaxherë që kanë një skuadër kaq të mirë sa unë. E kam thënë shumë herë, ne kemi një skuadër shumë të mirë. Dhe nëse shikoni tabelën e kampionatit, mendoj se lojtarët kanë treguar se besimi që kemi tek ata ishte i saktë. Dhe ne nuk kemi shumë dëmtime tani, ndoshta përveç Arnoldit, që do të mungojë disa ditë. Por nuk kishim dëmtime afatgjata në momentet që merkato ishte e hapur”.
Liverpuli pret Totenhemin që vjen me avantazhin 1-0 nga ndeshja e parë, por mbetet sërish favorit për të shkuar më tej, duke parë formën e tyre. Ndërsa skuadra e Londrës Veriore ka pasur vështirësi që nga ndeshja e parë muajin e kaluar.
“Unë nuk mendoj se duhet t’i përgatis ata ndryshe për ndonjë ndeshje tjetër, sepse nga tani deri në fund të sezonit kur vesh fanellën e Liverpulit, duhet ta fitosh ndeshjen. Kështu që edhe nëse do të jemi sërish 1-0 në disavantazh, duam ta fitojmë ndeshjen, kjo është edhe ajo që ne provuam në ndeshjen jashtë. Ne ishim pranë marrjes së rezultatit deri në sekondat e fundit, mbetëm me 10 vetë dhe pësuam golin. Asgjë nuk ndryshon”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL