Në qendër të gjithçkaje është Randal Kolo Muani.Sulmuesi francez i transferuar te Juventusi në janar nuk ka kërkuar kohë shtesë për t’ui përshtatur. Në epokën e pak ditëve ka djegur shumë etapa. Sfida e radhës është ndaj Komos, ku sot në mbrëmje “Zonja e Vjetër” është e thirrur në apel për t’i dhënë vazhdimësi fitores kundër Empolit ditën e diel. Në sens më të përgjithshëm, sulmuesi francez nuk është thjesht në qendër të repartit të avancuar të Tiago motës, por edhe në qendër të projektit të Juves. Burimet nga kampi i Juventusit bëjnë me dije se Kolo Muani ka parakaluar Dushan Vlahoviçin në hierarkinë e titullarëve dhe e ka ulur në stol. Kështu, fatet e Juves deri në fundin e sezonit do të jenë mbi shpatullat e tij.
PA PRECEDENTË- Për aq kohë sa “varka” po lundron, thjesht duhet ta lësh… Kolo Muani në fakt duket si një motorskaf dhe që kur ka nisur të jetë në ujërat e Juventusit ka vendosur që të ketë gazin në maksimum mes erërave të forta. Nuk ka ndërmend që të ndalet. Për këtë arsye Mota e di mirë që nuk duhet të ndërpresë vazhdimësinë e tij. Kolo Muani ka pasur një impakt më të mirë në krahasim me të gjithë sulmuesit e afruar në merkaton e janarit. Tre gola në 2 ndeshjet e para zyrtare nuk i ka shënuar askush, pavarësisht se emrat e sulmuesve kanë qenë të rëndësishëm. Matri në vitin 2011 u ndal në 2 gola, ndërsa Vlahoviç shënoi vetëm 1 në vitin 2022.
Një asist për Borrielon në vitin 2012 dhe po ashtu për Esnaider në 1999. Ndërkohë që të tjerët si Osvaldo, Anelka, Toni, Paluçi dhe Henri nuk kanë gjetur dot rrjetën. Dhe nëse do të shënojë sërish edhe ndaj Komos, Kolo Muani do të barazonte impaktin e jashtëzakonshëm të Piontekut me Xhenoan. Sulmuesi francez i ka bërë të gjithë për vete dhe duket si një goditje në shenjë nga ana e drejtuesve në këtë merkato.
Prezenca e tij sigurisht që mund të motivojë akoma më shumë Vlahoviçin që të punojë dhe të përgjigjet në fushë ashtu siç bëri në ndeshjen ndaj Empolit. Nuk thonë kot, që konkurrenca e shëndoshë në futboll shërben për të përmirësuar skuadrën. Për momentin Kolo Muani është i paprekshëm në repartin e avancuar të “Zonjës së Vjetër”.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL