Karlo Ançeloti duket se ka gjetur mbrojtësin i cili do të zgjidhë problemet e vazhdueshme të prapavijës së tij, ku mungesat kanë penalizuar “los blancos”.
“RMC Sport” bën të ditur se madrilenët kanë piketuar te Arsenali Uilliam Saliba, i cili po spikat gjithnjë e më shumë si një nga lojtarët më të talentuar të prapavijës në Premier Ligë. Francezi 23-vjeçar po merr elozhe të vazhdueshme nga specialistët për lojën e tij dhe tanimë raportohet se është bërë gati një ofertë e madrilenëve për lojtarin në verë.
Reali ka nisur që tani kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit, por nuk do të jetë e lehtë t’ia rrëmbejë Arsenalit, që e ka blinduar me një kontratë deri në vitin 2027. Edhe pse vetë futbollisti raportohet se e ka cilësuar si “pozitiv” interesimin e Real Madrid për të, klubit spanjoll do t’i duhet të bëjë një sforco të madhe ekonomike për t’ia rrëmbyer “topçinjve”.
PANORAMASPORT.AL