U desh anglezi i Realit që të thyente Mançester Sitin pikërisht në Angli. Xhud Bellingam shënoi në frymën e fundit golin e fitores për kampionët e Europës në fuqi që kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimin për në 1/8 e finaleve në Champions.
Bellingam ka folur për mediat angleze pas takimit, duke vlerësuar suksesin e Realit në një ndeshje të dominuar në pjesën më të madhe.
“Ka enë një takim i çuditshëm. Por shumë momente të lojës kemi zhvilluar një nga takimet tona më të mira në sezon, por në dy raste jemi gjendur në disavantazh. Ka pasur mjaft diskutime para takimit se ky Siti nuk është më i miri e të tjera broçkulla. Por e pamë të gjithë në fushë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. janë një nga skuadrat më të vështira për tu përballur, mënyra se si ata luajnë me topin, si e qarkullojnë, si lëvizin në fushë. Ka qenë vërtet e ndërlikuar, përtej rezultatit. Por do të ishte mëkat nëse nuk do të kishim fituar, pasi kemi krijuar shumë raste për shënim, diçka e rrallë”, tha Bellingam.
Duke vijuar në analizën e tij, mesfushori i Realit ka theksuar se pavarësisht fitores asgjë nuk mund të quhet e mbaruar në këto nivele. “Gjëja më interesante në këto ndeshje vajtje-ardhje me eliminim është se ke momente ulje-ngritjeje.
Këto nuk janë vetëm beteja teknike apo taktike. Janë dhe beteja psikologjike. Këtë pjesë e kemi administruar mjaft mirë”, tha Bellingam. Në fund ai ka folur edhe për golin e tij. “E kam shoqëruar aksionin deri në fund dhe më vjen mirë që shënuam. Ishte një fitore plotësisht e merituar. Tani jemi në pozita më të favorshme, por nuk mund ta quaj të mbyllur”, tha anglezi.
PANORAMASPORT.AL