Levandovski është 37 vjeç, Lamine Jamal është 17! Janë plot 20 vite që ndajnë njëri nga tjetri. Njëzet vite që detyrimisht tregojnë për dy gjenerata krejt të ndryshme që kanë vizion jo të njëjtë dhe e shohin botën jo njëlloj.
Përtej këtyre ndasive të vetëkuptueshme, sot dy lojtarët ndajnë të njëjtën dhomë zhveshjeje dhe nderojnë të njëjtën fanellë në fushë. Dhe po e bëjnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë besoj e kujtojnë “sherrin” mes të dyve me Levandovskin që i tërhiqte veshin yllit spanjoll. Por natyrisht që nuk kishte asgjë të keqe në fakt. Leva e ka shpjeguar në më shumë se një rast. E ka bërë sërish gjatë një interviste për revistën polake “Pilka Nozma”. Numri 9 i Barcelonës i dërgoi fillimisht një mesazh yllit spanjoll. “Nëse dikush ka talent mund ta përdorë atë deri në moshën 23-24 vjeç. Por me kalimin e viteve talenti nuk është më i mjaftueshëm. Duhet më shumë punë dhe një përgatitje psikologjike ndryshe”, tha Leva.
Pas reflektimeve të tij, Levandovski deklaroi admirimin e pakufishëm të tij për Lamine Jamal, talentin e së cilës nuk e kishte parë kurrë më parë. “Ai erdhi të stërvitet me ne kur ishte 15 vjeç, e pashë për herë të parë. Kam parë shumë të rinj dhe të talentuar, por ai është ndryshe. Vura re se kishte diçka, por nuk isha i sigurt se pas saj do të kishte një karrierë të madhe. E pyeta se sa vjeç ishte dhe kur më tha moshën nuk e besova. E pranoj se është e vështirë që dikush të më bëjë shpejt përshtypje, por ky fëmijë vërtet më mahniti. E them me sinqeritet se nuk kam parë kurrë lojtar si ai. Nuk është vetëm talent. Ai luan si të ishte 6-7 vjet më i madh”, tha Levandovski.
PËRSHTATJA ME BARÇËN DHE QYTETIN – “Ky është sezoni im i tretë te Barcelona. Dhe unë sinqerisht mund të them se pas këtyre dy viteve të para, unë më në fund ndihem më ndryshe – në klub, në qytet, në një vend të ri. Ndihem plotësisht i përshtatur. Në vitin e parë gjithçka ishte e re. Viti i dytë ishte si një tranzicion, tani ndjej se unë jam përshtatur 100%”.
KSAVI E FLIK – Përveç shokëve të tij dhe të rinjve, Levandovski foli edhe për Ksavin dhe trajnerin aktual, Hansi Flik. “Unë gjithmonë kam thënë se Ksavi ishte shumë i lidhur me klubin, me mjedisin, madje edhe me gazetarët. Mendoj se ndonjëherë është mirë të mbash pak distancë”, shpjegoi ai. Sa i përket Flik, ai tha: “Unë fola me të vetëm kur isha praktikisht i sigurt se ai do të ishte trajneri i Barcelonës. Derisa të vendosej diçka, ne nuk kemi folur”.
TOMAS MYLER – Së fundi, polaku foli se kush është lojtari me të cilin ka pasur më shumë mirëkuptim në fushë deri më sot. “Ai me të cilin ndieja një lidhje të veçantë në fushë ishte Tomas Myler. Ne kuptoheshim shumë mirë njëritjetrin, sepse e njohim futbollin”, tha Levandovski.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL