Pablo Amo nuk do të jetë më asistent i trajnerit Luis de la Fuente në Kombëtaren spanjolle. Ai ka pranuar ofertën e një klubi në Katar ku do të punojë si trajner. Bashkë me të largohen edhe dy anëtarë të stafit të trajnerëve të kombëtares spanjolle.
Pablo Amo nuk do të jetë më asistenti kryesor i Luis de la Fuente në kombëtaren spanjolle. Trajneri, ka pranuar propozimin nga Katari, konkretisht nga Al Arabi, në atë që do të jetë aventura e tij e parë si trajner i një klubi. Ai do të nënshkruajë për një vit e gjysmë. Kjo nuk është hera e parë që në drejtim të tij kanë ardhur oferta, por Amo gjithmonë i kishte refuzuar.
Së fundmi, ai nuk i ka bërë ballë tundimit të propozimit që ka ardhur nga Arabia Saudite për një pagë mbi 5 milionë neto. Tani ai e kuptoi se kishte ardhur koha për të filluar karrierën si trajner. Ky largim vjen në një kohë kur ka mbetur vetëm një muaj deri në play-offin e Ligës së Kombeve dhe pak më shumë se një vit deri në nisjen e eliminatoreve të Kupës së Botës.
Puna e tij me De la Fuente ka qenë e jashtëzakonshme në kombëtaren spanjolle. Shumë mendojnë se ai ishte kyçi, edhe pse në hije në arritjen e sukseseve të fundit të Kombëtares. Së bashku me Pablo Amo, do të largohen edhe disa anëtarë të stafit aktual të Spanjës. Ata janë Carlos Rivera, trajner i përgatitjes atletike dhe Hector Rincon, analist për ekipet e të rinjve.
Al Arabi është një nga klubet e Katarit me potencial të madh financiar, por nuk po kalon një moment të mirë. Ai është i njëmbëdhjeti në kampionatin vendas dhe është jashtë garës për kompeticionet ndërkombëtare.