Robert Levandovski do të vazhdojë te Barcelona edhe në sezonin e ardhshëm.Javët e fundit ka pasur shumë raporte për të ardhmen e tij dhe rinovimin automatik të kontratës, nëse ai luan një numër të caktuar ndeshjesh. Megjithatë, historia është në të vërtetë e kundërta. Polaku nënshkroi një kontratë katërvjeçare në vitin 2022 që përfundon në qershor 2026.
Megjithatë, në atë marrëveshje kishte një klauzolë me të cilën Barcelona mund ta ndërpriste në mënyrë të njëanshme bashkëpunimin. Klubi katalanas dëshironte të mbulonte të pasmet për shkak të performancës që sulmuesi mund të ofronte në vitin e fundit në të cilin ai tashmë do të jetë 37 vjeç. Për këtë arsye, Mateu Alemani, në atë kohë Drejtor i Futbollit të klubit, vendosi një klauzolë në kontratë ku shkruhej se nëse sulmuesi nuk luante gjashtëdhjetë për qind të ndeshjeve të sezonit paraardhës, klubi blaugrana mund t’i ndërpriste kontratën.
KLAUZOLA NUK DO TË EKZEKUTOHET – Nuk ka pasur asnjë mundësi që kjo klauzolë të përdoret në fakt. Lojtari është gati të plotësojë atë përqindje të ndeshjeve dhe, për rrjedhojë, do të qëndrojë në Barcelonë edhe sezonin e ardhshëm. Por sigurisht më shumë se aktivizimet janë golat e panumërt të polakut ato që blindojnë pozicionin e tij. Klubi katalanas nuk e ka menduar në asnjë moment zgjidhjen e kontratës me lojtarin që po ofron rekorde të jashtëzakonshme këtë vit. Ai është golashënuesi më i mirë aktual në La Liga, golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve deri më tani dhe është në luftën për Këpucën e Artë.
PAGA E LARTË – Është e vërtetë që rroga e futbollistit është shumë e lartë, pasi këtë sezon ajo i kalon 30 milionë euro bruto. Situata financiare e klubit i bëri drejtuesit të mendojnë për komoditetin e vazhdimësisë së tij, por pasi kanë parë ecurinë e lojtarit dhe gjithashtu që klubi i është rikthyer rregullit 1:1 ky debat ka pushuar. Sezonin e ardhshëm ai do të fitojë 26 milionë euro!
JETA NË BARCELONË – Levandovski dhe familja e tij janë të kënaqur në Barcelonë. Ideja është të qëndrojë dhe të jetojë në qytet edhe pasi të mbarojë koha e tij si futbollist, që në teori do të ishte në qershor të 2026-ës. Është gjithashtu e vërtetë që ka klube në Arabinë Saudite që kanë vënë syrin te polaku. Nuk përjashtohet mundësia që ai të mbyllë karrierën atje nëse merr një ofertë të konsiderueshme financiare. Më pas ai do të kthehej në Barcelonë.
TROFETË NË HORIZONT – Për momentin, lojtari është i fokusuar në përfundimin e sezonit me Barcelonën, në të cilin mund të fitojë shumë trofe si kolektivisht ashtu edhe individualisht. Në këtë pikë, ai ka fituar Superkupën e Spanjës dhe është në garë të fitojë tre të tjerat në të cilat garon: La Liga, Champions League dhe Copa del Rey. Dhe pastaj janë trofetë individualë të përmendur më parë si golashënues.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL