Futbollisti me origjinë shqiptare Granit Xhaka thotë se kampionët në fuqi Bajer Leverkusen janë të gatshëm të përballen me Bajern Mynih në ndeshjen e 22-të, pa dyshim që kanë nevojë për një fitore për të pasur ndonjë shans për t’u rimëkëmbur ndaj liderëve të Bundesligës. Gjatë një interviste për “bundesliga.com”, Graniti u “zbërthye” jo vetëm në planin e futbollit:
Ndeshja kundër Bajernit është një fitore e domosdoshme, a besoni se mund ta kapni akoma ekipin e Kompanis?
Ne e dimë se ku jemi, e dimë pozicionin tonë. E presim me padurim këtë ndeshje, jo vetëm për ne, por mendoj se e gjithë Gjermania është shumë e emocionuar për ta parë takimin. Ne duhet të bëjmë punën tonë, megjithatë, dhe të shohim se çfarë do të ndodhë pas 90 minutave, por ne mezi presim atë.
Sa e ngarkuar ishte skuadra pas barazimit në Volfsburgut?
Nëse jam i sinqertë, asgjë nuk ndryshoi vërtet pas ndeshjes. Ne e dinim pozicionin në të cilin ishim para ndeshjes dhe pas saj e dinim se duhej të mposhtnim Bajernin për të qenë më afër tyre. Çdo gjë tjetër është ende në duart tona, ne do të vazhdojmë të besojmë dhe do të përpiqemi të fitojmë ndeshjet e ardhshme.
Tani jeni tetë pikë prapa kreut, a është ky shansi juaj i fundit për të qëndruar në garën për titull të shtunën?
Forca jonë vitin e kaluar ishte se nuk e shikonim shumë tabelën. Është saktësisht e njëjta gjë edhe këtë vit, nëse jemi të dytët këtë vit, ishim përpara vitin e kaluar. Për ne është e rëndësishme të bëjmë punën tonë, të marrim çdo ndeshje me radhë dhe pas 34 raundesh do të shohim se ku jemi.
Një barazim ndoshta nuk do të mjaftojë, çfarë duhet të bëni për të mposhtur bavarezët?
Ne nuk do të hyjmë në lojë me plan për të luajtur për barazim, ne duam të fitojmë çdo ndeshje, qoftë ajo kundër Bajernit të shtunën ose kundër ndonjë ekipi tjetër. Ne e kemi këtë mentalitet në ekip dhe e kemi fituar me paraqitje të mira në vitet e fundit, kështu që do të hyjmë në lojë me këtë mentalitet dhe do të përpiqemi t’i marrim tri pikët këtu në shtëpi”.
Leverkusen ka fituar tre dhe ka barazuar dy kundër Bajernit që kur Ksabi Alonso ka qenë në krye, a hyn Leverkusen në lojë me një vetëbesim që nuk e kishit më parë?
Është gjithmonë një lojë e veçantë kundër Bajern Mynihut, ju i njihni lojtarët, e dini se çfarë lloj klubi janë ata, por ata gjithashtu e dinë se ku jemi të fortë. Në shtëpi, veçanërisht, ne kemi treguar në pesë ndeshjet e fundit se mund ta bëjmë të vështirë për këdo, përfshirë Bajernin dhe do të bëjmë të njëjtën gjë të shtunën për t’u siguruar që mund të jemi një skuadër perfektë.
A tregoi ndeshja në Volfsburg se ju ndoshta jeni shumë të varur nga Florian Virc ndonjëherë?
Ne të gjithë e dimë për cilësinë e Flo (Florian Virc). Ai është një lojtar shumë kreativ, mund të mposhtë një kundër një këdo, ai mund të luajë një pasim të shkëlqyeshëm, por ne nuk mund të mbështetemi në një futbollist. Të gjithë kemi cilësitë tona dhe duhet t’i tregojmë ato, gjë që e kemi bërë mirë gjatë viteve të fundit. Flo është padyshim një lojtar i rëndësishëm për ne. Ishte një vendim nga trajneri.
Aktualisht keni nëntë pikë më pak se vitin e kaluar, çfarë i mungon Leverkusenit këtë vit, krahasuar me perfeksionin e sezonit të kaluar?
Ju nuk mund të keni gjithmonë një sezon brilant, e keni një herë! Duhet të përballemi me realitetin dhe të jemi të sinqertë me veten. Ju vetë thatë se kishim nëntë pikë më shumë, do të kishim një pikë më shumë se Bajerni atëherë. Kemi pasur ndeshje, si Kil në shtëpi, kur kemi udhëhequr, por kemi marrë vetëm një pikë, ndaj Bohumit po ashtu. Tetë pikë tingëllojnë shumë, por janë vetëm tri ndeshje. Ndeshja e parë do të jetë të shtunën, kundër një kundërshtari të drejtpërdrejtë, ne duhet të fitojmë dhe pastaj do të shohim.
A e rrënjos trajneri Ksabi Alonso besimin në skuadër se ju ende mund të mbroni titullin tuaj, pavarësisht diferencës me kryesuesit?
Patjetër që çdo gjë është e mundur. Nuk do të dorëzohemi lehtë. Kanë mbetur edhe shumë ndeshje për të luajtur. E dimë se ku jemi, jemi të sinqertë me veten, do të duhet shumë punë dhe fat, por sigurisht që është ende e mundur.
A mund të kontribuoni për ekipin në të njëjtën mënyrë si në sezonin tuaj të kaluar?
Apo disa gjëra janë më të vështira për ju? “Unë nuk jam dikush që flet për veten time. Nuk e kam bërë kurrë në karrierën time dhe nuk do ta filloj tani. Skuadra e di pse më kanë nënshkruar. Mundohem të jap maksimumin tim, të sigurohem që të performoj sa më mirë. Jam vlerësuar nga klubi, trajneri, lojtarët e tjerë dhe detyra ime është të përdor përvojën time për të ndihmuar ekipin në fushë. Gjithçka tjetër është që të tjerët të gjykojnë.
Ju keni disa tatuazhe vetë, cili prej tuajat ka historinë më interesante?
Të gjitha tatuazhet e mia janë të lidhura me familjen time, fëmijët, mikun tim më të mirë. Unë nuk jam dikush që thjesht bëj një tatuazh për çdo gjë, mendoj pak për atë që dua të kem.
Sa ndryshojnë Florian Virc dhe Xhamal Musiala? Çfarë i bën të veçantë?
E di se si luajnë bashkë, i kam parë në Euro 2024, Gjermania kundër Zvicrës, të dy kanë shumë cilësi. Kam respekt të madh për të dy, kanë arritur kaq shumë në një moshë kaq të re, por kanë mbetur të uritur. Mund të flas për Florian Virc. Ai luan si një numër dhjetë, por ka mentalitetin e një mesfushori mbrojtës, sepse ai punon shumë për skuadrën”, përfundoi Granit Xhaka.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL