Dy vëllezërit Turam pritet që të jenë protagonistët e mëdhenj në derbin e Italisë mes Juventusit dhe Interit që do të luhet ditën e diel në mbrëmje. Duke pritur rikuperimin e Markusit, pritet që të jetë risi, sepse në sfidën e parë të dy nuk qëndruan shumë në fushën e lojës. Kefren e nisi nga stoli dhe Inzagi e uli sulmuesin e tij pa përfunduar ndeshja.
Nuk pati kohë që bashkë të bënin ndonjë shkëndijë pozitive mes vëllezërve, ashtu si në kohët e arta kur luanin në oborrin e tyre në Paris. Nëse sulmuesi i Interit do të kërkojë të rikuperohet në kohë për të udhëhequr repartin bashkë me Lautaro Martinezin, mesfushori i Juves ka marrë një megafon duke kërkuar me zë të lartë minutat si titullar. Në ndeshjen e fituar ndaj PSV-së u fut mirë në fushën e lojës duke qenë gjithmonë i gjallë dhe prezent në aksione.
EMILIANËT KUNDËR- Markus Turam ka lindur në Parma, në qytetin ku babai i tij u shndërrua në një kampion në vitin e largët 1997. Vit i artë për Interin, pasi në këtë moshë kanë lindur edhe shumë të tjerë si Lautaro Martinez dhe Dimarko. Katër vite më vonë, Lilian Turam transferohet te Juventusi i Lipit dhe aty lindi i vogli Kefren, i quajtur kështu si faraoni.
E ëma vendosi që të mos e lindte në Torino, por në Rexho Emilia. Kanë bërë shumë rrugë të dy vëllezërit, gjysmë emilianë dhe gjysmë francezë. Por të dy kanë zgjedhur me lumturi të luajnë futboll, pavarësisht se në role të ndryshme.
Madje nuk kanë dashur që të bëjnë mbrojtësin si babai i tyre, por njëri në mesfushë dhe tjetri në sulm, me shumë personalitet, madje. Thonë që molla nuk bie kurrë larg nga pena dhe në fakt Lilian i ka edukuar mirë si interistin ashtu edhe juventinin në këtë aspekt. Ka ndjekur çdo hap të karrierës së tyre duke e ditur që herët a vonë, Italia, vendi ku lindën do t’i përqadonte. Ishte pikërisht babai ai që shtyu Markusin të zgjidhte Interin në krahasim me Milanin (madje edhe me Juventusin) në verën e vitit 2023.
E dinte që do të ishte perfekt me Lautaro Martinezin. Po ashtu babai Lilian këshilloi Kefrenin që të vishte fanellën bardhezi, ashtu siç ai bëri 20 vite më parë. Edhe Milani e kërkoi, por ishte momenti për të veshur fanellën bardhezi. Kështu mendoi babai për djalin e tij të dytë.
TIFOZLLËKU- Turami i vjetër e ka thënë gjithmonë që në derbin e Italisë sigurisht që bën tifo për Juventusin sepse 5 vitet e kaluara në Torino nuk harrohen lehtë. Markus është i qetë për këtë aspekt sepse e di shumë mirë zgjedhjen që ka bërë babai i tij. Por ai është ngushëlluar me faktin që babanë e zbriti në fushën e lojës në festën e titullit kampion me fanellën zikaltër. Tifozët e Interit menduan që ta bënin më të bukur këtë moment duke nisur korin: Kush s’kërcen është juventin. Markus sigur isht që kërceu, por babai qëndroi statik. As VAR-i nuk dalloi lëvizjen më të vogël. Madje ai nisi që të godiste me shaka të birin për këtë moment.
Por ajo që vlen është të qëndruarit pranë fëmijëve, në një moment kaq të bukur. Që nga vera e këtij viti, Lilian është mes Milanos dhe Torinos duke ndjekur dy djemtë. Më shumë qëndron në Tirono sepse Kefren është më i ri dhe është viti i parë ku duhet të ambientohet.
E vërteta është që të dy ndihen shumë mirë në qytetet e tyre. Markus është një “humorist” për grupin e Inzagit duke nisur që nga veshja e tij dhe te sjelljet në stërvitje. Kefren është pak më i ndrojtur, por është duke ndihmuar shumë Kolo Muaninë. Ueah është shoku i tij më i mirë.
MË I FORTI? Secili është duke ndjekur karrierën e tij, por sigurisht që ka ekzistuar gjithmonë pyetja se cili është më i miri. Markus është i bindur që më i forti në shtëpi është Kefren, ndërsa i vogli thotë që mund të mësojë nga vëllai i madh. Të dielën është hera e tretë që të dy do të jenë sërish bashkë në fushë si rivalë.
PANORAMASPORT.AL