Përzemërsi… ishte fjala që u përsërit më shpesh në selinë e Federatës Spanjolle të Futbollit në Las Rozas, kur flitej për takimin e përfaqësuesve të Realit të Madridit me arbitrat. Ishte ora 12.30 kur menaxheri i përgjithshëm i skuadrës së bardhë Hoze Angel Sançez dhe Hoze Luis del Vaje Perez, sekretar i përgjithshëm i Bordit të Realit mbërritën në selinë e federatës.
Luis Medina Kantaleho, presidenti i Komitetit Teknik të Arbitrave dhe Klos Gómez, përgjegjësi i VARit, ishin gjithashtu të pranishëm. Takimi ishte për shkak të ankesave të Realit për arbitrimin ndaj tij në javët e fundit dhe kërkesës së klubit të bardhë për të dëgjuar regjistrimet audio VAR të ndeshjes kundër Espanjolit për rastin e përplasjes Mbape-Romero dhe kartonin e kuq të munguar për lojtarin e Espanjolit.
Për këtë arsye, Reali i dërgoi një letër Federatës dhe CSD-së, duke protestuar ndaj veprimeve të arbitrit dhe duke kërkuar ato regjistrime audio. Federata ia ka treguar audion Realit, por gjithmonë me kushtin që të ishte ai që duhej të shkonte në selinë e saj.
Thënë dhe bërë, përfaqësuesit e Realit shkuan në Las Rozas, por jo vetëm për të dëgjuar ato audio, por për të folur edhe për çështje të tjera. Si Medina Kantaleho ashtu edhe Klos Gómez i treguan Madridit të gjitha regjistrimet audio. E gjithë kjo për t’i dhënë takimit një pamje krejtësisht normale dhe mbi të gjitha për t’i bërë të ditur klubit të bardhë se nuk ka asnjë komplot ndaj tyre.
LLOGORET – Presidenti i Komitetit Teknik të Arbitrave, Medina Kantaleho ka qenë i qartë pas takimit. “Ishte një takim i përzermërt. Nëse do të kishim pasur debate të kota, nuk do kishim ndenjur 1 orë e gjysmë së bashku, por do e kishim mbyllur takimin për 5 minuta.
Nuk ka gjëra për të fshehur, por duam që takimi të mbetet privat mes nesh dhe Realit”, komentoi ai. Ndërkaq për takimin ka reaguar dhe klubi i bardhë që vazhdon të besojë se është i dëmtuar nga vendimet e gjyqtarëve. “Takimi ka qenë korrekt, serioz dhe me respekt të ndërsjellë. Thënë kjo ne vazhdojmë të besojmë se kemi vënë re shenja të ndëshkimit me pa të drejtë të klubit”, komentojnë nga Madridi.
PANORAMASPORT.AL