Një tjetër “bombë” shpërthen te Milani pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, teksa klubi po merret me pasojat e asaj dalje nga kompeticioni më i rëndësishëm për klube në kontinent, si dhe për vijimin e revolucionit me emra të tjerë të rëndësishëm që do i japin lamtumirën në verë. Tani ka dalë në skenë një zënkë që aludohet se ka ndodhur pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve ndaj Dinamos se Zagrebit, që ka përçarë grupin.
E përditshmja italiane “La Repubblica“, bën të ditur se Konseisao është edhe ai “në provë” dhe aventura e tij mund të mbyllet shumë shpejt nëse skuadra vazhdon të largohet nga zona Champions në kampionat. Sikur të mos mjaftonte kjo, debati që ai ka pasur me Kristian Pulisiç, ka shtyrë këtë të fundit të lëshojë një ultimatum për sezonin e ardhshëm, duke bërë të qartë se nuk do të qëndrojë në ekip me portugezin në pankinë.
Kjo ngjarje është pasqyruar gjerësisht në mediat italiane sot dhe ka detyruar vetë Kristian Pulisiç të dalë me një deklaratë nëpërmjet rrjeteve sociale të klubit kuqezi. “Nuk jam zënë asnjëherë me trajnerin dhe nuk kam kërkuar kurrë të largohem. Unë ndjehem mjaft mirë te Milani dhe dua të vazhdoj të vesh këtë fanellë. Është e papranueshme të lexoj këto gënjeshtra, por do të vazhdojmë të jemi të gjithë të bashkuar dhe të luftojmë së bashku në fushë, për klubin dhe tifozët tanë”, shkruhej në reagimin e futbollistit amerikan.
PANORAMASPORT.AL