Të martën, në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës është tërhequr shorti për zyrtarët e ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Kosovës.
Këtë mesjavë, të mërkurën dhe enjten, do të luhen duelet çerekfinale, ku katër prej tetë skuadrave do të avancojnë në gjysmëfinale të kësaj gare.
Të mërkurën janë dy ndeshje, të cilat startojnë në orën 13:00, Drenica – Ferizaj që luhet në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj dhe Malisheva – Llapi që zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”.
Mentor Ajeti do të jetë gjyqtar kryesor në duelin që do të luhet në Skenderaj, ku asistentë të tij do të jenë Arbnor Bullatovci e Hekuran Osmani derisa arbitër i katërt është Isak Ceroviku.
Në duelin në Malishevë, Dardan Çaka është kryesor, asistentë janë Granit Hysen e Alban Ejupi kurse gjyqtari i katërt është Granit Pacolli.
Edhe të enjten, në orarin e njëjtë do të luhen dy çerekfinalet tjera: Vëllaznimi – Prishtina në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, si dhe Prishtina e Re – Drita në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Genc Nuza do të jetë gjyqtar kryesor në duelin Vëllaznimi – Prishtina dhe do të asistohet nga Edmond Zeqiri e Bekim Rama kurse Egzon Dakaj do të jetë i katërti.
Në ndeshjen që do të luhet në Lipjan, kryesori do të jetë Visar Kastrati me asistentët Besnik Morina e Drilon Rexhepi kurse Rrezart Hasanaj do të jetë gjyqtar i katërt.
Prej fazës çerekfinale të Kupës së Kosovës, do të aplikohet sistemi VAR kurse edhe në këtë fazë fituesi do të përcaktohet me vetëm një ndeshje.