Juventusi është duke “shijuar” Dushan Vla hoviçin, por gjithashtu ka filluar të pyesë veten për sa kohë do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Serbi, i cili u rikthye në formacionin titullar në Serinë A 56 ditë pas paraqitjes së tij të fundit, ishte vendimtar në fitoren në Kaljari, e cila i lejoi bardhezinjtë të ngjiteshin të vetëm në vendin e katërt pas një ndjekjeje të gjatë.
Ai shënoi një gol të rëndësishëm, dukej mirë fizikisht dhe gjithmonë në qendër të aksioneve, gjë që nuk po shihej prej kohësh, ku po qëndronte nën hijen e Kolo Muanisë.
PESHA- Golat e tij (14 deri tani) mund dhe duhet të jenë një nga armët themelore në dispozicion të Tiago Motës për të siguruar që në qershor të paktën të festojnë kualifikimin për në Ligën e Kampioneve. Por sa më shumë të kalojnë javët, aq më shumë rriten shanset që Vlahoviç të jetë duke shënuar golat e fundit në aventurën e tij bardhezi.
KONTRATA- Dushani ka një kontratë deri më 30 qershor 2026 që do t’i sjellë një pagë neto prej 12 milionë euro këtë vit. Ai nuk është vetëm lojtari më i paguar në skuadrën e Juventusit, por edhe në të gjithë Serinë A. Dhe jo me një shumë të vogël.
Paga e tij është shumë jashtë parametrave të rinj të klubit, i cili, jo çuditërisht, muajt e fundit po shqyrton mundësinë e një rinovimi për ta shpërndarë në disa sezone. Një rinovim që nga zbarkimi i Kolo Muanisë, as që është përmendur.
MERKATO- E ardhmja e francezit është ende e paqartë për t’u përcaktuar, por konfirmimi i tij mund ta largojë më tej Vlahoviçin nga Juventusi. Ky largim nuk shihet si zgjedhje taktike, por më shumë për arsye ekonomike, duke qenë se sulmuesi aktualisht në pronësi të PSG-së ka gjithashtu një pagë të lartë.
Me pak fjalë, nëse serbi nuk gjen marrëveshjen për një rinovim me pagë më të ulët dhe Kolo Muani mbetet në Torino, largimi i të parit do të ishte praktikisht i pashmangshëm. Për më tepër, Juventusit do t’i mjaftonte të mblidhte rreth 20 milionë euro për të shmangur humbjen në buxhet nga serbi, shifër kjo absolutisht e arritshme për disa klube të rëndësishme. Priten sqarime për të ardhmen e tij deri në fund të sezonit, por Juvja po “gëzon” një Vlahoviç të “paparashikueshëm”.
PANORAMASPORT.AL