Goran Pandev ka analizuar ndeshjen mes Napolit dhe Interit. Si një ish i të dyja skuadrave sulmuesi nga Maqedonia e Veriut thotë se do të jetë një duel i madh.
“Është bukur të shoh dy ish-skuadrat e mia që luajnë për titullin. Jam i sigurt që lufta do të vazhdojë deri në fundin e sezonit edhe në rast se do të fitojë një nga ekipet. Edhe Atalanta mund të futet në këtë garë. Pas eliminimit nga Champions-i bëri një ndeshje të madhe me Empolin dhe sigurisht që duhet të besojë. Gasperini ka një organikë të mirë dhe me shumë lojtarë që mund të bëjnë diferencën”, thotë Pandev.
Ai gjithashtu foli për zikaltrit dhe trajnerin Inzagi. “Interi është gjithmonë Interi dhe kur vesh atë fanellë duhet të fitosh gjithmonë. Kanë një skuadër të fortë dhe me lojtarë që mund të zëvendësojnë të tjerët. Është e vërtetë që gjatë kësaj kohe kanë pasur një rënie, por janë gjithmonë ata skuadra për t’u mundur. Janë mësuar me fitoret dhe e dinë mirë çfarë duan”, thotë ish-kampioni i Europës me zikaltrit.
Ai ka luajtur dikur me Inzagin. “Simone ishte i sëmurë për futbollin. Që në atë kohë kur luanim bashkë njihte të gjithë lojtarët, madje edhe ata të Serisë C. Mendon për futbollin 24 orë në 24. Jam i kënaqur për atë që po bën. Ishte si trajner që atëherë. Më thoshte çfarë lëvizjesh duhet të bëja, kur duhet të shkoja në thellësi. Isha i ri dhe për mua ka qenë një ndihmë e madhe”, përfundoi Pandev.
PANORAMASPORT.AL