Shigjeta e Kupidit fluturoi nëpër qiellin e Piaçencës në ditën e Shën Valentinit, por në atë pasdite nuk goditi askënd. Përkundrazi, kaloi dhe goditi në gjoksin e një personi tjetër.
Simone Inzagi dhe Antonio Konte u takuan për herë të parë 26 vite më parë në një njdeshje Piaçenca-Juventus të fituar nga bardhezinjtë. Ishte e para për Karlo Ançelotin. Inzagi ishte 23 vjeç dhe Konte mbante në krah shiritin e kapitenit të Juventusit. Një pasdite e errët për Simonen që e mbylli ndeshjen me notën 5 dhe një karton të verdhë për simulim. Më mirë Antonio, protagonist me një 6,5 për cilësinë dhe organizimin. Por kushtojini vëmendje datës: Ishte 14 shkurt.
LUFTA E DY BOTËVE– Tani rrugët do të takohen sërish dhe në këtë herë të dytë është në mes një titull kampion. I pari ndodhi në vitin 2000 kur ishin lojtarë në një rrebesh mes Peruxhas dhe Romës, ndërsa i fundit këtë vit me duelin kokë më kokë mes Napolit dhe Interit. Një luftë e dy botëve, ku në fushën e lojës ndodhi gjithçka: Dialektika, thumbimet, konferencat në distancë ku kërkohet t’i fusësh shkopinj nën rrota të tjetrit. Ironia e fatit është që bashkë u panë për herë të parë në ditën kur festohej dashuria, por historia e tyre nuk është: Dikur duheshim. Inzagi dhe Konte këtë vit kanë lëshuar shumë deklarata për njëritjetrin, edhe pse të parin e bëri vëllai i Antonios, Daniele. Ai thumboi me një postim në rrjetet sociale: Ka nga ata që e shkruajnë historinë dhe nga ata që e lexojnë atë. I referohej faktit që Interi nuk arriti dot të thyente rekordin e 102 pikëve që i ka kapur Antonio Konte.
QASJE TË NDRYSHME- Inzagi u fsheh dhe nuk bëri deklarata të forta, por u hakërrye në momentin e duhur, pasi arriti të siguronte fazën e 1/ 8-ave për të katërtin vit radhazi. “Unë kam 25 lojtarë me të cilët jam dashuruar dhe nuk do t’i ndryshoja me asnjë tjetër. Ta shoh Interin mes skuadrave më të mëdha të Europës më bën krenar për këtë rrugëtim prej 3 vitesh e gjysmë. Duhet të kujtojmë që Interi nuk arrinte në fazën e 1/8-ave prej 10 vitesh”, tha Simone. Diçka që i referohej Kontes për 2 sezone në fazën e grupeve. Pjesa tjetër është një rrugëtim i dy paraleleve, i dy botëve kaq të afërta në klasifikim dhe të largëta në fushë dhe në mënyrë, në tonet e përdorura, në menaxhimin e ndeshjeve dhe grupit. Inzagi është një njeri instiktiv.
Një njeri që për lojtarët është i baba ose vëlla i madh. Për Dimarkon është një trajner i nënvlerësuar, për Mkitarianin thuajse një mik i mirë, për Lautaron një njeri që i detyrohet gjithçka. Konte është në anën tjetër një gjeneral i hekurt. Për atë fitoret janë fiksim dhe nuk e ka fshehur kurrë. “E urrej kur humbas, më bën të ndihem keq”. Stërvitjet e tij rraskapitëse i njohin të gjithë, nga Juventusi te Napoli. Borriero ka treguar se villte në fushë nga sforcot. “Me atë arrijnë rrahjet e zemrës 196. Ishte një alarm përpara infarktit”. Lihshtajner ka zbuluar një tjetër thënie të tijën. “Na thoshte gjithmonë të njëjtën gjë, nëse do të fitosh duhet të jesh një bij k…”.
NË MARS- Në CV e Antonio Kontes është shkruar: Fitues. Ka udhëhequr Barin dhe Sienën në Serinë A, ka fituar 3 tituj kampionë me Juventusin, një Premier Ligë me Çelsin dhe një titull me Interin. Pa harruar disa kupa mes Anglisë dhe Italisë. Inzagi e ka nisur me të rinjtë e Lacios dhe pastaj me ekipin kryesor. Ka ndërtuar një nga skuadrat më të forta që nga koha e titullit kampion dhe e ka bërë me dy ingredientë, skemën 3-5-2 dhe grupin. Konte ka pranuar sfidën e De Laurentisit duke udhëhequr për kohë kampionatin. Sot do të sfidohen sërish me njëri-tjetrin për herë të gjashtë. Një fitore për Simonen, dy për Konten dhe 2 barazime. Në “Maradona” do të shkruhet një tjetër kapitull mes tyre. E sigurt, nuk do të ketë aspak temë dashurie. Në orën 18:00 ka luftë për titullin kampion.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL