Pas eliminimit të bujshëm nga Kupa e Italisë, Kristiano Xhuntoli donte të mbronte Tiago Motën dhe projektin e ri të Juventusit. Drejtori i Juventusit përsëriti se nuk bëhet fjalë për një largim të trajnerit, por objektivi minimal i deklaruar nga drejtuesit është kualifikimi në Ligën e Kampioneve. Megjithatë, Tiago Mota e rrezikon largimin e përveç tij, për të ardhmen e tyre deri në fund të sezonit po luajnë edhe disa emra të mëdhenj të Juventusit.
Nga Kambiazo te Duglas Luiz dhe Vlahoviç, drejtuesit e Juventusit kanë filluar të programojnë spastrimet që duan të bëjnë në fund të sezonit. Merkato e Juventusit fillimisht do të duhet të zgjidhë situatat që lidhen me të ardhmen e disa emrave të mëdhenj. Më e rëndësishmja ka të bëjë me Dushan Vlahoviç. Sulmuesi serb është lojtari më i paguar në skuadër, me një pagë deri në 12 milionë euro neto në sezon dhe kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2026. Gjithçka është në ngërç në frontin e rinovimit, dhe shanset janë se ai do të shkojë drejt transferimit verën e ardhshme, një vit para se t’i skadojë kontrata me bardhezinjtë.
Këta muaj që kanë mbetur do të jenë gjithashtu muaj vendimtarë për Andrea Kambiazo, i cili përfundoi në radarët e Sitit të Guardiolës që në merkaton e janarit. Në rast të një ofertë të re nga “Qytetarët”, me një ofertë më të lartë se 60-70 milionë euro, Juventusi vështirë se do ta kundërshtojë shitjen. Duglas Luiz po luan gjithashtu për të ardhmen e tij në Torino.
Mesfushori brazilian është rikthyer sërish në infermieri dhe gjatë sezonit të tij të parë si bardhezi ai nuk ka arritur kurrë të ndikojë apo të gjejë qëndrueshmëri. Për të ka interes të vazhdueshëm nga Premier Liga. Sakaq, e ardhmja e Milik, duket tashmë e mbyllur, pavarësisht se kontrata i skadon në 2026. Sulmuesi polak do të largohet nga bardhezinjtë verën e ardhshme pas një sezoni të kaluar në infermieri.
PANORAMASPORT.AL