Shumë interistë kanë nisur që të pyesin vet en dhe njëri-tjetrin në momentin që Federiko Dimarko u dëmtua në Napoli dhe e çoi në 1 numrin e lojtarëve anësorë të gatshëm për trajnerin Inzagi.
Çfarë do të shpikë tani? Ndoshta do të luajë me skemën 4-4-2, të cilën e ka provuar shpesh gjatë ndeshjeve kur është dashur që të ndryshojë një rezultat negativ.
11 VITE MË PARË- Hera e fundit kur trajneri zikaltër ka zbritur në fushën e lojës me një modul ndryshe nga 3-5-2 ka qenë ekipi i të rinjve të Lacios në vitin 2012-2013 në gjysmëfinale kundër Romës dhe në finale ndaj Torinos. Ndaj verdhekuqve, Inzagi i besoi shpejtësisë së Kreços dhe të Murxhas për të thyer murin romanist. E kaloi misionin me sukses. Në finale ëndrrat e tij dhe të Lacios u prishën me Torinon që përfundoi 4-3 në shtesë dhe nga ajo ditë Inzagi kurrë nuk ka luajtur më me skemën 4-4- 2 nga fillimi. Në Roterdam mund ta bëjë.
NË KRAH- Pyetja e parë dhe logjike është se kush do ta bëjë lojtarin e krahut së bashku me Dumfrisin? I pari në listë është Pavar, që gjatë kësaj kohe po luan si qendër e djathtë, por në rolin e tij origjinal ka qenë lojtar krahu si te Shtutgarti ashtu edhe te Bajerni dhe në kombëtare. Në vitin 2021 Deshamp e zbriti përpara Kundesë në modulin 3-4-1-2 dhe me të fitoi Ligën e Kombeve. Pra, e di ta bëjë këtë rol. Në këtë rast, si qendër e djathtë do të jetë Bisek. Një lëvizje emergjente mund të jetë Fratezi, i provuar nga Inzagi përpara ndeshjes me Napolin bashkë me Korrean. E ka bërë edhe në skuadrat e moshave. I fundit në listë është Mateo Çoki, anësori i majtë i skuadrës së të rinjve. Me Zanketën luan në modulin me 4 mbrapa, por ka shënuar 4 gola dhe 4 asiste në 25 ndeshje. Të mërkurën mund të humbasë ndeshjen e tij me të rinjtë në Champions për të qenë në pankinë me ekipin e parë.
PO ME 4?- Një tjetër zgjidhje emergjente për këtë ndeshje është ndryshimi i modulit. Inzagi mund të braktisë skemën 3-5-2 pas shumë vitesh besnikëri ndaj saj. Sigurisht që kjo tregon se trajneri është i fiksuar pas këtij moduli dhe nuk ka një plan B. Hera e fundit që ka luajtur me këtë skemë ka qenë më 15 prillin e vitit 2017 kur luhej XhenoaLacio 2-2. Një nga qendërmbrojtësit ishte De Vraj, që u fut gjatë ndeshjes me Napolin dhe parashikohet titullar në Roterdam. Në këtë rast, dy lojtarët anësore do të ishin Pavar dhe Bastoni, ndërsa në qendër bashkë me holandezin do të jetë Açerbi. Por gjithashtu për t’u kuptuar janë 2 anësorët, ku në një anë mund të jetë Dumfris i ngritur dhe në tjetrin ka një gropë të madhe. Në Napoli provuan ta bënin Barela dhe Mkitarian. I pari e ka mundësinë dhe aspektin fizik për ta provuar por do të largohej nga një zonë e rëndësishme e fushës. Inzagi duhet të vendosë, por sido që të shkojë, i duhet që të bëjë shpikje. Trajneri gjithmonë është akuzuar për këtë aspekt, sepse nuk ka ndryshuar kurrë modulin dhe kjo gjë hera-herës i ka kushtuar disa ndeshje dhe pikë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL