Osman Dembele është një nga futbollistët më të shtrenjtë të të gjitha kohërave.
Ylli i PSG-së ka fituar katër tituj kampion, ka ngritur kupat kombëtare në tri vende dhe ka luajtur në një finale të Kupës së Botës. Megjithatë, sulmuesi francez nuk ka lënë kurrë përshtypje në futbollin anglez. Por kjo mund të ndryshojë pasi Dembele shkon në përballjen e Ligës së Kampioneve kundër Liverpulit në formën e jetës së tij.
27-vjeçari ka lënë pas edhe heroin e “Reds”-ave, Mo Salah, në tre muajt e fundit, ndërsa ai dhe PSG-ja rriten në besimin se ka ardhur koha që mund t’i japin fund pritjes së tyre të gjatë për lavdinë evropiane. Dembele shënoi edhe një gol tjetër teksa PSG-ja po përgatitej për ndeshjen e sotme kundër Liverpulit, në kryeqytetin francez, me një fitore 4-1 ndaj Lilës të shtunën. Dhe ai po del nga hija e sulmuesit francez Kilian Mbape, i cili u largua nga Parisi për në Madrid në verë.
Kur Dembele iu bashkua Barcelonës nga Borusia e Dortmundit në vitin 2017, marrëveshja me vlerë deri në 138 milionë paund, ishte e dyta më e madhe në historinë e futbollit, pas vetëm 200 milionë paundëve, që PSG-ja sapo kishte shpenzuar për Nejmarin. Megjithatë, pavarësisht se ai fitoi tre tituj të La Ligës në gjashtë sezone me Barçën, Dembele vuajti që të përmbushte pritshmëritë në “Camp Nou”, pjesërisht për shkak të lëndimeve dhe krizës financiare të klubit.
Vetëm tani, pasi u kthye në Francë në vitin 2023 për të zëvendësuar përsëri Nejmarin, këtë herë te PSG-ja, ai duket se po përmbush potencialin që tregoi si një adoleshent shpërthyes. Masur Osman Dembele ishte 13 vjeç kur u vu re nga Stad Ren dhe bëri debutimin e tij për skuadrën e parë në nëntor 2015, kur ishte 18 vjeç. Mikael Silvestre, ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Arsenalit dhe Francës, ishte këshilltar i presidentit të klubit.
Dhe, ndërsa Dembele shënoi një tregolësh kundër Nantës në mars 2016, Silvestre e krahasoi atë me Kristiano Ronaldon, pasi kishte parë shpërthimin e talentit portugez në “Old Trafford”. Në 13 ndeshjet e vitit 2025, Dembele ka luajtur më pak minuta sesa Salah, por ka shënuar dhe e ka goditur më shumë portën se sulmuesi më i fortë i Premier Ligës këtë sezon. Arne Slot do të ketë egjiptianin, Luis Enrike do të ketë francezin. Spektakli sot në “Parc des Princes” është i garantuar dhe njëri nga ata pritet të jetë protagonist.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL