Katër herë futbollisti më i mirë i vitit në Afrikë, Samuel Eto’o, e ka fituar të drejtën për të hyrë në listën e kandidatëve për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, në kongresin zgjedhor të Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF), që mbahet javën tjetër.
Atij fillimisht i ishte mohuar e drejta për të kandiduar në muajin janar, ndërsa ishte dënuar nga CAF-i me arsyetimin se ka thyer standardin e etikës dhe integritetit pasi kishte marrë rolin e ambasadorit për një kompani bastvënieje.
Por Eto’o, president i Federatës së Futbollit të Kamerunit, e kishte dërguar çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe e ka fituar rastin.
“Pas seancës dëgjimore më 3 mars 2025, komiteti ekzekutiv i CAF-it detyrohet që ta përfshijë Eto’on në listën e kandidatëve për zgjedhje në komitet”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e CAS-it.