Saturday, 23. May 2026
Sport

Dy kryendeshjet e Superligës, luhen të shtunën

GS 08/03/2025 2 Min. Lesezeit

Dy ndeshje të forta e interesante luhen të shtunën në kuadër të javës së 23-të, të Superligës në futboll.

Derbitë e kësaj xhiroje do të zhvillohen në Suharekë e Podujevë, duke përfshirë dy ekipet e para në tabelë dhe dy të tjerat që krahas cilësisë, janë larg pritshmërive.

Duke nisur nga ora 14:00, në Suharekë, kampioni aktual i futbollit Ballkani e pret Prishtinën.

Nikoqiri vjen nga një formë e luhatshme duke pësuar në ndeshjen e fundit nga Malisheva dhe duke mbetur larg vendit të parë, tashmë me 13 pikë.

Por rivali i Ballkanit, Prishtina, vjen nga një seri tepër e dobët prej shtatë ndeshjeve pa fitore, me pesë barazime e dy humbje dhe me fitoren e fundit të realizuar më 1 dhjetor.

Në dy ndeshjet e këtij sezoni, Ballkani ka një fitore dhe një përballje ka përfunduar pa fitues.

Një gabim të kampionit, do të provojë ta shfrytëzojë për ta rritur avanazhin e pikëve, Drita si lidere e Superligës. Por gjilanasit luajnë në “Zahir Pajaziti” ndaj Llapit, që befasisht sivjet po lufton për mbetje.

Skuadra e Tahir Batatinës është në vendin e parafundit në tabelë me 23 pikë, me vetëm një fitore në 15 ndeshjet e fundit.

Dueli i fundit në Podujevë i ka takuar Llapit, derisa Drita kishte triumfuar në Gjilan.

Edhe kjo ndeshje luhet të shtunën duke nisur nga ora 14:00.

Të dielën do të luhen dy takimet e tjera.

Dukagjini është nikoqir i Malishevës dhe Gjilani e pret Feronikelin e fundit të tabelës.

Të dyja ndeshjet nisin nga ora 14:00.

Teilen: