Nga revolucioni në restaurim, hapi që pritet të bëjë Juventusi mund të jetë i shkurtër. E ardhmja e afërt e Tiago Motës duket se nuk është në diskutim, ndërsa ajo e largët është shënuar nga dy humbjet e turpshme kundër Empolit (në Kupën e Italisë) dhe Atalantës (në kampionat) brenda një periudhe 10- ditore.
Trajneri bardhezi ka kaluar nga statusi i “konfirmuar” nga klubi, pavarësisht rezultateve, në atë të “mund të shkarkohet” edhe në rastin e vendit të katërt, objektivi minimal i klubit për arsye buxheti dhe prestigji. Megjithatë, në këtë moment, Champions-i do të ishte vështirë të mjaftonte për të shpëtuar një projekt trevjeçar, që është mbytur muajin e fundit. Ndjenja mes drejtuesve dhe trajnerit është në nivelet më të ulëta, pronarët janë të zemëruar, të zhgënjyer dhe gjithashtu të shqetësuar.
Tifozët janë të inatosur dhe në dhomën e zhveshjes ka një atmosferë të keqe. Me këto premisa, aventura bardhezi e Motës duket se është e destinuar të ndërpritet pas një sezoni. Për sezonin tjetër, duket se do të ketë ndryshime në stol dhe kandidatët kryesorë janë disa isha (në forma të ndryshme) si: Antonio Konte, Xhan Piero Gasperini dhe Stefano Pioli.
KANDIDATURAT- Ëndrra mbetet Konte, ai që nisi ciklin e jashtëzakonshëm të 9 titujve radhazi, tani në pankinën e Napolit. Një kandidaturë shumë e fortë dhe që gjithashtu është në nivelin e Antonio Kontes mbetet torinezi Gasperini, për rastësi dy trajnerët e vetëm, me të cilët Mota ka humbur në kampionat këtë sezon. Konte nuk e ka fshehur kurrë lidhjen e tij me Juventusin, por tani mendimi i tij është i fokusuar te titulli, që po luhet me Interin dhe Atalantën.
Gasp ka një kontratë që skadon në 2026, por ka njoftuar se nuk do ta rinovojë dhe ka shumë të ngjarë që të mos fillojë sezonin e ardhshëm në pankinën e Atalantës. Në listë është edhe Pioli, i monitoruar shumë nga Xhuntoli pranverën e kaluar kur duhej të zëvendësonte Alegrin.
Aktualisht, Pioli është në Arabinë Saudite, por po kërkon të kthehet në Itali. Konte ka fituar shumë tituj (3 me Juventusin), Gasperini një Ligë Europe dhe Pioli një titull si jo favorit me Milanin. Trajnerë fitues që mund të rikthejnë entuziazmin “Zonja”. Mota ndërkohë po mendon për të tashmen. Në Firence nuk mund të gabojë më, për vendin e katërt dhe për nderin. Nëse humbet, nuk përjashtohet edhe ndonjë ndryshim opinioni nga drejtuesit, për të mos e lënë trajnerin ta mbyllë sezonin si bardhezi.
PANORAMASPORT.AL