Te Milani, kërkimi për një drejtor të ri sportiv është prioritet, por kryefjala është qetësia. Pas udhëtimit të Xhorxho Furlanit në Amerikë për të takuar Xherri Kardinalen, u vendos që administratori aktual kuqezi do të drejtojë procesin e gjetjes së njeriut të duhur për sektorin sportv.
Pra, nëse nevojitej një konfirmim, në vijën e parë dhe ish-menaxheri i portofolit të “Elliott” do të vendosë veton me rolin e Ibrahimoviçit, i cili mbetet ai që teorikisht duhet të jetë. Suedezi ka pasur zë për merkton e do të vazhdojë të ketë, por kryesori do të jetë Furlani së bashku me drejtorin e ardhshëm sportiv. Sidoqoftë, ideja është një e vetme dhe të gjithë palët e përfshira kanë për synim të marrin gjithë kohën e nevojshme për të mos bërë një gabim në një vendim që mund të ndikojë negativisht edhe në sezonin e ardhshëm të “Djallit”.
Për këtë arsye, është e vështirë të mendohet se zgjedhja do të bëhet në një afat të shkurtër. Në javët në vijim, Furlani do të takojë një nga një pretendentët kryesorë për këtë pozicion dhe më pas do të zgjedhë profilin më të përshtatshëm, por identikiti i drejtorit të ardhshëm sportiv të Milanit duket se është e shkruar tashmë: Furlani është në kërkim të një njohësi futbolli, mundësisht italian dhe me aftësinë për të menaxhuar komunikimin me kampionët. Përveç këtyre aspekteve, nevojitet që drejtori i ri të jetë në gjendje të bashkëpunojë me administratorin në detyrat e tij të përditshme.
NËN SHQYRTIM – Padyshim që opsionet e huaja nuk përjashtohen, por zgjedhja tashmë duket se do të reduktohet në tre emra: Igli Tare, Fabio Paratici dhe Tony D’Amiko. Dy të parët tashmë janë përfolur shumë, me ish-menaxherin e Juves që aktualisht duket se ka një avantazh ndaj ish-sulmuesit të Shqipërisë, veçanërisht për shkak të rezultateve të arritura në Torinon bardhezi. Pikërisht titujt radhazi të Paratiçit me “Zonjën e vjetër” janë mjaft intriguese për shefin ekzekutiv të “Djallit”. Sidoqoftë, për momentin, askush nuk është jashtë gare. Aq më pak Tare që në “Casa Milan” ka admirues si Ibrahimoviç dhe Xhefri Monkada. Sidoqoftë, nuk ka dy pa tre, ndaj emri më i ri në “audicione” është ai i Toni d’Amikos. 45- vjeçari punon që prej sezonit 2022 te Atalanta. Ai, thuhet të jetë takuar edhe me Furlanin dhe parimisht është shprehur i gatshëm për postin te Milani.
AFATET – Në këtë pikë ai duket se është ai rivali i madh i Paraticit, sepse Furlani e pëlqen shumë profilin e tij jo vetëm për eksperiencën që ka, por edhe sepse është një nga arkitektët kryesorë të sukseseve të mëdha sportive që ka arritur Atalanta që nga ardhja e tij e deri më sot. Gara është më e hapur se kurrë dhe vendimi nuk pritet së shpejti (ndoshta nga fundi i marsit, për t’i dhënë drejtorit të ri sportiv kohën e nevojshme për të zgjedhur trajnerin dhe për të ngritur merkaton). Sidoqoftë, sipas “Sportmediaset” janë planifikuar takime të reja me kandidatët në javët në vijim, pasi në valle është e ardhmja e Milanit.
PANORAMASPORT.AL