Juve po punon për t’u rritur dhe për të zhvilluar projektin e nisur që në këtë sezon të komplikuar, duke u munduar të gjejë gabimet për t’i shmangur në të ardhmen.Nëse për çdo arsye nuk arrihet kualifikimi në Ligën e Kampioneve të ardhshme, do të ishte e nevojshme të rishikohej gjithçka ose një pjesë e madhe e projektit që po zbatohet deri më tani. Por nëse ndodh kjo gjë, në atë moment gjithçka do të ishte më pak e sigurt në çdo nivel. Jo vetëm që Tiago Mota nuk do të kishte asnjë mundësi për të mbetur në pankinën e Juves, por do të ishte e nevojshme të rishikoheshin edhe disa aspekte të tjera të projektit të nisur verën e kaluar për t’i dhënë formë ciklit të ri.
NË RREZIK– Pa Ligën e Kampioneve, Juventusi do të ketë vështirësi në mbajtjen e disa lojtarëve për dy arsye kryesore. Nuk do të jetë në gjendje t’i mbulonte kostot dhe nuk do të ishte më në përputhje me ambiciet e tyre. Dhe lista e atyre që rrezikojnë të largohen nuk është e vogël, duke pasur parasysh se disa janë marrë në formë huazimi për të mbajtur nivelin e lartë të skuadrës pikërisht në Europë. Duke filluar nga Kolo Muani, i cili ka zgjedhur Juventusin për të vazhduar që të jetë konkurrues në nivele europiane pas aventurës jo fort të mirë në Paris. Por në të njëjtën linjë janë edhe Veiga e Konseisao, që për t’u bërë përfundimisht lojtarë të Juves duhen paguar 30 milionë.
TË SAKRIFIKUARIT – Nëse është e vërtetë që plani i Juves mund të kalojë përmes zgjedhjes për të sakrifikuar disa lojtarë për të rritur buxhetin në dispozicion për merkato, pa të ardhurat e garantuara nga kompeticioni më i rëndësishëm europian, klubi do të jetë i detyruar të shesë disa lojtarë për të mbuluar humbjen ekonomike. Në rrezik janë profilet që mund të shiten me çmim të mirë, duke nisur nga Jildiz te Kambiazo, e duke kaluar përmes çdo talenti që mund të sigurojë për klubin një fitim të dobishëm për të rivendosur balancat ekonomike.
PLANI I MERKATOS – Përtej dyshimeve që duhet të zgjidhen në lidhje me Tiago Motën, klubi është i bindur se ka ndërtuar një organikë me vlerë të madhe dhe perspektivë, që duhet forcuar edhe më tej me 3-4 afrime të mira. Me arritjen e objektivit minimal, pra, Champions-in, Juventusi do të niste atë plan merkatoje që Xhuntoli ka përgatitur prej kohësh, që parashikon shtimin e një sulmuesi të rëndësishëm (Osimhen është emri në krye të listës, por nuk është opsioni i vetëm), një mesfushori që mund të rrisë cilësinë e skuadrës (Tonali pëlqehet shumë) dhe të paktën një mbrojtësi që mund të sjellë ekuilibër në të dy fazat (Hançko, i preferuari). Këto operacione do të krijonin një bazë që konsiderohet shumë e vlefshme nga klubi, edhe pse rezultatet deri tani nuk kanë qenë në përputhje me pritshmëritë e të gjithëve.
PANORAMASPORT.AL